«Fryti i Frymës është […] besimi…» (Gal. 5:22).
Ky fryt i Frymës është kuptuar përgjithësisht si besnikëri. Ky nuk është besimi që shpëton, as besimi që ushtrojmë përditë në Perëndinë (edhe pse mund ta përfshijë atë). Për më tepër është besnikëria dhe besueshmëria në marrëdhëniet që kemi me Zotin dhe njëri-tjetrin. Dikush e ka përkufizuar atë si të jesh «besnik për vetveten, për natyrën tënde, për çdo premtim të marrë përsipër, për çdo besë të dhënë».
Kur ne themi se fjala e dikujt është në premtimin e tij, ne duam të themi se në marrëdhëniet me të, nuk është e nevojshme asnjë kontratë e shkruar. Nëse ai ka pranuar që të bëjë diçka, mund të mbështetesh tek ai që do ta kryejë këtë punë.
Njeriu besnik është i përpiktë me takimet, i paguan faturat brenda kohës, frekuenton rregullisht takimet e përbashkësisë lokale, i kryen detyrat që i janë caktuar pa qenë e nevojshme që të kujtohet vazhdimisht. Ai është besnik dhe i qëndrueshëm ndaj premtimeve të martesës dhe i rregullt me kryerjen e përgjegjësive familjare. Ai është i ndërgjegjshëm duke vënë mënjanë para për veprën e Zotit dhe i kujdesshëm në administrimin e kohës dhe talenteve.
Besnikëri do të thotë që ta mbash fjalën, edhe kur kjo na kushton shumë. Njeriu besnik «betohet në dëm të tij dhe nuk ndryshon» (Psa. 15:4c, NASB). Me fjalë të tjera, ai nuk e anulon një angazhim të mirë kur i vjen një tjetër që premton një meny më të mirë apo një shoqëri më afrueshme. Ai nuk e lë një detyrë në punë për të shkuar në një udhëtim çlodhjeje (nëse nuk cakton më parë një zëvendës të pranueshëm). Ai e shet shtëpinë me çmimin e vendosur, edhe nëse më vonë dikush i ofron 10.000 $ më shumë.
Pika më e fundit e besnikërisë është që të jesh i gatshëm të vdesësh, sesa të refuzosh besnikërinë ndaj Krishtit. Kur mbreti i kërkoi një të krishteri besnik që të tërhiqte rrëfimin e tij për Krishtin, burri iu përgjigj: «Zemra e mendoi atë; goja e foli; dora e nënshkroi; dhe nëse nevojitet, me hirin e Perëndisë gjaku do ta vulosë atë». Kur Polikarpit iu ofrua jeta në këmbim të mohimit të Zotit, ai zgjodhi që të digjej në turrën e druve, duke thënë: «Për tetëdhjetë e gjashtë vjet i kam shërbyer Zotit tim. Ai nuk më solli asnjë dëm dhe unë nuk mund ta mohoj tani Zotin dhe Mjeshtrin tim».
Martirët ishin besnikë deri në vdekje dhe do të marrin kurorën e jetës (Zbulesa 2:10).