Jobi 1

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Pasuritë e mëdha të Jobit dhe ndershmëria e tij

1:1 Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Job. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes.

1:2 I kishin lindur shtatë bij dhe tri bija.

1:3 Veç kësaj zotëronte shtatë mijë dele, tre mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomarë dhe një numër shumë të madh shërbëtorësh. Kështu ky njeri ishte më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes.

1:4 Bijtë e tij kishin zakon të shkonin për banket në shtëpinë e secilit ditën e cakuar; dhe dërgonin të thërrisnin tri motrat e tyre, që të vinin të hanin dhe të pinin bashkë me ta.

1:5 Kur mbaronte seria e ditëve të banketit, Jobi i thërriste për t`i pastruar; ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte olokauste sipas numrit të gjithë atyre, sepse Jobi mendonte: “Ndofta bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre”. Kështu bënte Jobi çdo herë.

Në provën e parë Jobi humb gjithë pasurinë dhe bijtë e tij

1:6 Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten para Zotit, dhe ndër ta shkoi edhe Satanai.

1:7 Zoti i tha Satanait: “Nga vjen?”. Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: “Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkruar lart e poshtë”.

1:8 Zoti i tha Satanait: “E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t`i largohet së keqes”.

1:9 Atëherë Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: “Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia?

1:10 A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend.

1:11 Por shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi”.

1:12 Zoti i tha Satanait: “Ja, të gjitha ato që ai zotëron janë në pushtetin tënd, por mos e shtri dorën mbi personin e tij”. Kështu Satanai u largua nga prania e Zotit.

1:13 Kështu një ditë ndodhi që, ndërsa bijtë e tij dhe bijat e tij hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh, erdhi nga Jobi një lajmëtar për t`u thënë:

1:14 Qetë po lëronin dhe gomarët po kullotnin aty afër,

1:15 kur Sabejtë u sulën mbi ta, i morën me vete dhe vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them”.

1:16 Ai ishte duke folur ende, kur arriti një tjetër dhe tha: “Zjarri i Perëndisë ra nga qielli, zuri delet dhe shërbëtorët dhe i ka përpirë. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them”.

1:17 Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: “Kaldeasit kanë formuar tri banda, u sulën mbi devetë dhe i morën me vete, vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them”.

1:18 Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: “Bijtë e tu dhe bijat e tua ishin duke ngrënë dhe duke pirë verë në shtëpinë e vëlliat të tyre më të madh,

1:19 kur papritur një erë e furishme, që vinte nga shkretëtira, ra në të katër qoshet e shtëpisë e cila u shemb mbi të rinjtë, dhe ata vdiqën. Vetëm unë shpëtova dhe erdha të ta them”.

1:20 Atëherë Jobi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra pëmbys dhe adhuroi,

1:21 dhe tha: “Lakuriq dolla nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit”.

1:22 Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi dhe nuk paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi.

[previous][next]