Jobi 36

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Elihu flet mbi mënyrën se si vepron Perëndia me njeriun

36:1 Elihu vazhdoi edhe më, duke thënë:

36:2 “Prit edhe pak dhe do të të tregoj që ka ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë.

36:3 Do ta sjell larg atë që di dhe do t`i jap hak atij që më ka krijuar.

36:4 Sigurisht fjalët e mia nuk janë të rreme; para teje ke një njeri me njohuri të përsosur.

36:5 Ja, Perëndia është i fuqishëm, por nuk përçmon njeri; është i fuqishëm në forcën e diturisë së tij.

36:6 Ai nuk e lë të jetojë njeriun e keq dhe u siguron drejtësinë të shtypurve.

36:7 Nuk i heq sytë nga të drejtët, por bën që të ulen për gjithnjë me mbretërit mbi fronin; kështu ata rrinë lart.

36:8 Por në rast se janë të lidhur me zinxhira dhe të mbajtur me veriga pikëllimi,

36:9 atëherë u tregon veprat e tyre dhe shkeljet e tyre, sepse u është rritur mendja.

36:10 Kështu ai ua hap veshët për t`u ndrequr dhe i nxit të largohen nga e keqja.

36:11 Në rast se ata e dëgjojnë dhe nënshtrohen, do t`i mbarojnë ditët e tyre në mirëqënie dhe vitet e tyre në gëzime;

36:12 por, në rast se nuk e dëgjojnë, do të vdesin nga shpata, do të vdesin pa ardhur në vete.

36:13 Por të pabesët nga zemra mbledhin zemërimin, nuk bërtasin për të kërkuar ndihmë,

36:14 kështu ata vdesin ende të rinj, dhe jeta e tyre mbaron midis Sodomitëve.

36:15 Perëndia çliron të pikëlluarit me anë të pikëllimit të tyre dhe u hap veshët me anë të fatkeqësisë.

36:16 Ai dëshiron të të largojë edhe ty nga kafshimi i fatkeqësisë, që të të çojë në një vend të gjerë pa kufizim, me një tryezë të shtruar me ushqime të shijshme.

36:17 Por ti je mbushur me mendimin e njeriut të keq, dhe gjykimi e drejtësia do të të kapin.

36:18 Në rast se ekziston zemërimi, ki kujdes që ai të mos të të fshijë me një goditje të vetme, sepse një shumë e madhe parash nuk do të mund të largonte.

36:19 Vallë a do t`i çmojë pasuritë e tua, kur ai ka ar dhe të gjitha burimet e fuqisë?

36:20 Mos dëshiro natën, gjatë së cilës njerëzia çohet larg nga vendi i saj.

36:21 Ki kujdes të mos anosh nga paudhësia, sepse ti ke preferuar këtë pikëllim.

Elihu lartëson Perëndinë për veprat e tij të mëdha në gjithësinë

36:22 Ja, Perëndia ka shkëlqyer në fuqinë e tij; kush mund të na mësojë si ai?

36:23 Vallë, kush mund t`i imponojë rrugën që duhet ndjekur dhe kush mund t`i thotë: “Ti ke bërë keq”?

36:24 Kujtohu të lartësosh veprat e tij, që njerëzit i kanë kënduar;

36:25 tërë njerëzit i admirojnë, vdekatari mund t`i soditë nga larg.

36:26 Po, Perëndia është i madh, por ne nuk e njohim, dhe numri i viteve të tij është i panjohshëm.

36:27 Ai tërheq atje lart pikat e ujit në formë avulli, i cili dëndësohet pastaj në shi,

36:28 që retë zbrazin dhe lëshojnë mbi njeriun në sasi të madhe.

36:29 Kush mund të kuptojë shtjellimin e reve, shungullimën që shpërthen në çadrën e tij?

36:30 Ja, ai përhap rreth vetes dritën e tij dhe mbulon thellësitë e detit.

36:31 Me anë të tyre dënon popujt dhe jep ushqime me shumicë.

36:32 Mbulon duart me rrufetë dhe i urdhëron ato të godasin shenjën.

36:33 Bubullima flet për të, edhe bagëtia e ndjen furtunën që po vjen.