Jobi 9

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Përgjigja e dytë e Jobit: është e kotë të diskutosh me Perëndinë

9:1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

9:2 “Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?

9:3 Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t`i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.

9:4 Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?

9:5 Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij.

9:6 Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen.

9:7 Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.

9:8 I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.

9:9 Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.

9:10 Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.

9:11 Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.

9:12 Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t`ia rimarrë? Kush mund t`i thotë: “Çfarë po bën?”.

9:13 Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit.

9:14 Si mund t`i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të?

9:15 Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t`i përgjigjem, por do t`i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim.

9:16 Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim,

9:17 ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak.

9:18 Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime.

9:19 Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t`u paraqitur?

9:20 Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur.

9:21 Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time.

9:22 Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: “Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin”.

9:23 Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve.

9:24 Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra?

9:25 Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë.

9:26 Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.

9:27 Në qoftë se them: “Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar”,

9:28 më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm.

9:29 Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot?

9:30 Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë,

9:31 ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri.

9:32 Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t`i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.

9:33 Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.

9:34 Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.

9:35 Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.