Jobi 12

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Përgjigja e tretë e Jobit: ai u thotë miqve të tij se vetëm Perëndia ka njohuri

12:1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

12:2 “Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju.

12:3 Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto?

12:4 Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë.

12:5 Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët.

12:6 Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre.

12:7 Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë,

12:8 ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë.

12:9 Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto?

12:10 Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore.

12:11 Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet?

12:12 Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin.

12:13 Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi.

12:14 Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t`ia hapë.

12:15 Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t`i lërë të lira, përmbytin tokën.

12:16 Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron.

12:17 Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend.

12:18 Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre.

12:19 I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit.

12:20 I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë.

12:21 Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve.

12:22 Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes.

12:23 I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon.

12:24 U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë.

12:25 Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur”.