Jobi 17

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jobi thotë se ai është bërë gazi i popujve nga Perëndia

17:1 “Fryma ime u copëtua, ditët po më shuhen, varri po më pret.

17:2 A nuk jam i rrethuar nga njerëz që më përqeshin. Syri im ndalet mbi fyerjet e tyre.

17:3 Më jep, pra, një peng pranë teje, përndryshe kush do të më shtrëngonte dorën si garant?

17:4 Nga që i ke penguar mendjet e tyre të kuptojnë, prandaj nuk do t`i bësh të triumfojnë.

17:5 Kush i tradhton miqtë deri sa t`i grabisë, ka për t`i parë më pak sytë e fëmijëve të tij.

17:6 Por unë prej tij jam bërë gazi i popujve dhe jam katandisur në një njeri të cilin e pështyjnë në fytyrë.

17:7 Syri më erret për shkak të dhembjes dhe tërë gjymtyrët e mia nuk janë veçse hije.

17:8 Njerëzit e drejtë habiten nga kjo, dhe i pafajmi ngrihet kundër të pabesit.

17:9 Megjithatë i drejti mbetet i lidhur fort me rrugën e tij, dhe ai që i ka duart e pastra fortësohet gjithnjë e më tepër.

17:10 Sa për ju të gjithë, kthehuni, ejani, pra, sepse midis jush nuk po gjej asnjë njeri të urtë.

17:11 Ditët e mia shkuan dhe planet e mia u prishën, pikërisht ato dëshira që unë ushqeja në zemër.

17:12 Ata e ndërrojnë natën në ditë, “drita është afër”, thonë, për shkak të errësirës.

17:13 Në rast se e pres Sheolin si shtëpinë time në rast se e shtrij shtrojen time në terr,

17:14 në rast se i them vendvarrit: “Ti je ati im”, dhe krimbave: “Jeni nëna ime dhe motra ime”,

17:15 ku është, pra, shpresa ime? Kush mund të dallojë ndonjë shpresë për mua?

17:16 A do të zbres vallë në portat e Sheolit, kur do të gjejmë bashkë prehje në pluhur?”.