Jobi 8

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Fjalimi i parë i Bildadit: dhembja është pasojë e mëkatit

8:1 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:

8:2 “Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme?

8:3 A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë?

8:4 Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre.

8:5 Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit,

8:6 në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate.

8:7 Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël,

8:8 e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre;

8:9 ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije.

8:10 A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre?

8:11 A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë?

8:12 Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër.

8:13 Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet.

8:14 Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange.

8:15 Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban.

8:16 Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij;

8:17 dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë.

8:18 Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: “Nuk të kam parë kurrë!”.

8:19 Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri.

8:20 Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit.

8:21 Ai do t`i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua.

8:22 Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket”.