Jobi 33

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Elihu thotë se flet nga ana e Perëndisë

33:1 “Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia!

33:2 Ja, unë po hap gojën dhe gjuha ime flet në gojën time.

33:3 Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra.

33:4 Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë.

33:5 Në rast se mundesh, m`u përgjigj; përgatitu gjithashtu të mbrosh pozitat e tua.

33:6 Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili.

33:7 Ja, asnjë frikë nga unë nuk duhet të të lemerisë, dhe dora ime nuk do të rëndojë mbi ty.

33:8 Por ti u ke thënë veshëve të mi dhe dëgjova tingullin e fjalëve të tua, që thonin:

33:9 “Una jam i pastër, pa mëkat; jam i pafajmë, nuk ka asnjë faj tek unë.

33:10 Por Perëndia gjen kundër meje shkaqe armiqësie dhe më konsideron armikun e tij;

33:11 i fut këmbët e mia në pranga dhe kqyr gjithë hapat e mia”.

33:12 Mirë, pra, unë të them se këtu nuk ke të drejtë, sepse Perëndia është më i madh se njeriu.

33:13 Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij?

33:14 Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re:

33:15 në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre.

33:16 Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën,

33:17 për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia,

33:18 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata.

33:19 Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij,

33:20 aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme.

33:21 Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë;

33:22 kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen.

33:23 Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t`i tregojë njeriut detyrën e tij.

33:24 Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: “Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të”.

33:25 Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.

33:26 Do t`i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij.

33:27 Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: “Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja.

33:28 Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën”.

33:29 Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun,

33:30 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës.

33:31 Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas.

33:32 Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, folë, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë.

33:33 Përndryshe dëgjomë; hesht dhe unë do të të mësoj diturinë”.