Jobi 14

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jobi brengoset që njeriu ka vetëm një jetë

14:1 “Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.

14:2 Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.

14:3 Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty.

14:4 Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.

14:5 Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t`i kapërcejë.

14:6 Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat.

14:7 Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë.

14:8 Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe,

14:9 me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë.

14:10 Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra?

14:11 Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet,

14:12 por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij.

14:13 Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!

14:14 Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.

14:15 Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.

14:16 Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia;

14:17 do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim.

14:18 Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij,

14:19 ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut.

14:20 Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon.

14:21 Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re.

14:22 Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij.