Jobi 27

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jobi qëndron i patundur në drejtësinë e tij dhe ndalet mbi gjendjen e njerëzve të këqij

27:1 Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha:

27:2 “Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin,

27:3 deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,

27:4 buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme.

27:5 Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.

27:6 Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia.

27:7 Armiku im qoftë si njeriu i keq, dhe ai që ngrihet kundër meje ashtu si njeriu i padrejtë.

27:8 Çfarë shprese mund të ketë në fakt i pabesi, edhe sikur të arrijë të sigurojë fitime, kur Perëndia i heq jetën?

27:9 A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur mbi të do të bjerë fatkeqësia?

27:10 A do t`i vërë kënaqësitë e tij vallë tek i Plotfuqishmi dhe do të kërkojë ndihmën e Perëndisë në çdo kohë?

27:11 Do t`ju jap mësime mbi fuqinë e Perëndisë, nuk do t`ju fsheh qëllimet e të Plotfuqishmit.

27:12 Por ju të gjithë i keni vënë re këto gjëra, pse, pra, silleni në mënyrë kaq të kotë?

27:13 Ky është fati që Perëndia i rezervon njeriut të keq, trashëgimia që njerëzit që përdorin dhunën marrin nga i Plotfuqishmi.

27:14 Në rast se ka një numër të madh bijsh, këta i destinohen shpatës, dhe trashëgimtarët e tij nuk do të kenë bukë për t`u ngopur.

27:15 Ata që do të mbijetojnë pas tij do të varrosen nga vdekja dhe të vejat e tyre nuk do të qajnë.

27:16 Në rast se grumbullon argjend si pluhur dhe mbledh rrobe si baltë,

27:17 ai i grumbullon, por do t`i veshë i drejti, dhe argjendin do ta ndajë i pafajmi.

27:18 Ai ndërton shtëpinë e tij si një mole, si një kasolle që e ka bërë një rojtar.

27:19 I pasuri bie në shtrat, por nuk do të bashkohet me njerëzit e tij; hap sytë dhe nuk është më.

27:20 Tmerri e kap në befasi si ujërat; në mes të natës një furtunë e rrëmben tinëzisht.

27:21 Era e lindjes e merr me vete dhe ai ikën, e fshin nga vendi i tij si një vorbull.

27:22 Ajo sulet kundër tij pa mëshirë, ndërsa ai kërkon në mënyrë të dëshpëruar të shpëtojë nga ajo dorë,

27:23 njerëzia duartroket në mënyrë tallëse për të dhe fërshëllen kundër tij nga vendi ku ndodhet”.