Jobi 4

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Fjalimi i parë i Elifazit: të pafajshmit nuk vuajnë

4:1 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

4:2 “A do të të bezdiste ndokush në rast se do të provonte të të fliste? Por kush mund t`i ndalë fjalët?

4:3 Ja ti ke mësuar shumë prej tyre dhe ua ke fortësuar duart e lodhura;

4:4 fjalët e tua u kanë dhënë zemër të lëkundurve dhe kanë forcuar gjunjët që gjunjëzohen.

4:5 Por tani që e keqja të zuri ty, nuk je në gjendje të veprosh; të ka goditur ty, dhe ti e ke humbur fare.

4:6 Mëshira jote a nuk është vallë besimi yt, dhe ndershmëria e sjelljes sate, shpresa jote?

4:7 Mbaje mend: cili i pafajmë është zhdukur vallë, dhe a janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm?

4:8 Ashtu siç e kam parë unë vetë, ata që lërojnë paudhësinë dhe mbjellin mjerimin, vjelin frytet e tyre.

4:9 Me frymën e Perëndisë ata vdesin, era e zemërimit të tij i tret ata.

4:10 Vrumbullima e luanit, zëri i luanit të egër dhe dhëmbët e luanëve të vegjël janë thyer.

4:11 Luani vdes për mungesë gjahu dhe të vegjlit e luaneshës shpërndahen.

4:12 Një fjalë më ka ardhur fshehurazi dhe veshi im ka zënë pëshpëritjen e saj.

4:13 Midis mendimeve të vizioneve të natës, kur një gjumë i rëndë bie mbi njerëzit,

4:14 më pushtoi një llahtari e madhe dhe një rrëqethje që bëri të dridhen gjithë kockat e mia.

4:15 Një frymë më kaloi përpara, dhe m`u ngritën përpjetë qimet e trupit.

4:16 Ai u ndal, por nuk munda ta dalloj pamjen e tij; një figurë më rrinte para syve; kishte heshtje, pastaj dëgjova një zë që thoshte:

4:17 “A mund të jetë një i vdekshëm më i drejtë se Perëndia? A mund të jetë një njeri më i pastër se Krijuesi i tij?

4:18 Ja, ai nuk u zë besë as shërbëtorëve të tij, dhe gjen madje të meta edhe tek engjëjt e tij;

4:19 aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur, dhe shtypen si një tenjë.

4:20 Nga mëngjesi deri në mbrëmje shkatërrohen; zhduken për fare, dhe asnjeri nuk i vë re.

4:21 Litarin e çadrës së tyre vallë a nuk ua këpusin? Ata vdesin, por pa dituri””.