Jobi 15

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Fjalimi i dytë i Elifazit: Jobi është fodull

15:1 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

15:2 “Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore?

15:3 Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë?

15:4 Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë.

15:5 Sepse prapësia jote t`i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve.

15:6 Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje.

15:7 A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave?

15:8 A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë?

15:9 Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne?

15:10 Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt.

15:11 Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty?

15:12 Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë,

15:13 duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?”.

Ç’ka parë Elifazi në jetë

15:14 “Ç`është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë?

15:15 Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij;

15:16 aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!

15:17 Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë,

15:18 atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre,

15:19 të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre.

15:20 I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara.

15:21 Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi.

15:22 Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret.

15:23 Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij.

15:24 Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë,

15:25 sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin,

15:26 duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza.

15:27 Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt;

15:28 ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash.

15:29 Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë.

15:30 Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij.

15:31 Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij.

15:32 Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më.

15:33 Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja.

15:34 Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar.

15:35 Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi.