BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Fjalimi i parë i Zofarit: Perëndia e kapërcen njohjen e njeriut. Thirrja e Jobit që të pranojë gabimet e tij
11:1 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:
11:2 “Një mori e tillë fjalësh a do të mbetet pa përgjigje? A duhet të ketë të drejtë një njeri fjalëshumë?
11:3 Llafet e tua a do t`ua mbyllin gojën njerëzve? Ti do të tallesh dhe asnjë mos të të bëjë me turp?
11:4 Ti ke thënë: “Doktrina ime është e pastër dhe jam i pakritikueshëm para teje”.
11:5 Por po të donte Perëndia të fliste dhe të hapte gojën e tij kundër teje,
11:6 për të treguar të fshehtat e diturisë, sepse dituria e vërtetë është e shumëtrajtshme, atëherë do të mësoje se Perëndia harron një pjesë të fajit tënd.
11:7 A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit?
11:8 Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?
11:9 Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti.
11:10 Në rast se Perëndia kalon, burgos dhe nxjerr në gjyq, kush mund t`ia pengojë këtë veprim?
11:11 Sepse ai i njeh njerëzit e rremë; e sheh padrejtësinë dhe e kqyr.
11:12 Njeriu i pamend do të bëhet i urtë, kur kërriçi i gomares së egër të bëhet njeri.
11:13 Në rast se e përgatit zemrën tënde dhe shtrin ndaj saj duart e tua,
11:14 në rast se largon padrejtësinë që është në duart e tua dhe nuk lejon që çoroditja të zërë vend në çadrat e tua,
11:15 atëherë do të mund të lartosh ballin tënd pa njollë, do të jesh i patundur dhe nuk do të kesh frikë,
11:16 sepse do të harrosh hallet e tua, do t`i kujtosh si uji që ka rrjedhur;
11:17 jeta jote do të jetë më e ndritur se mesdita, edhe errësira për ty do të ishte si mëngjesi.
11:18 Do të jesh i sigurt sepse ka shpresë; do të shikosh rreth e qark dhe do të pushosh në siguri.
11:19 Do të biesh të flesh dhe nuk do të ketë njeri që të të trembë dhe shumë persona do të kërkojnë favorin tënd.
11:20 Por sytë e të pabesëve do të treten; çdo shpëtim do t`u pritet, dhe shpresa e tyre do të jetë grahma e fundit”.