BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Jobi i lutet fort Perëndisë për t’i folur
13:1 “Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.
13:2 Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush.
13:3 Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë;
13:4 sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë.
13:5 Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj.
13:6 Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia.
13:7 A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime?
13:8 A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë?
13:9 Do të ishte më mirë për ju që ai t`ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri?
13:10 Me siguri ai do t`ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi.
13:11 Madhëria e tij vallë a nuk do t`ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju?
13:12 Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila.
13:13 Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë.
13:14 Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia?
13:15 Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim.
13:16 Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij.
13:17 Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj.
13:18 Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë.
13:19 Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja.
13:20 Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t`i fshihem pranisë sate;
13:21 largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë.
13:22 Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh.
13:23 Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim!
13:24 Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd?
13:25 Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë?
13:26 Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime?
13:27 Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia,
13:28 Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola”.