BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Fjalimi i dytë i Bildadit: ai flet për kushtet dhe fatin e njeriut të keq
18:1 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:
18:2 “Kur do t`u japësh fund fjalëve? Bëhu i zgjuar dhe pastaj flasim.
18:3 Pse jemi konsideruar si kafshë dhe jemi konsideruar të përçmuar në sytë e tu?
18:4 Ti që ha veten nga zemërimi, a duhet të braktiset toka për shkakun tënd apo shkëmbi të luajë nga vendi i tij?
18:5 Po, drita e të keqit shuhet dhe flaka e zjarrit të tij nuk ndrit më.
18:6 Drita në çadrën e tij po meket dhe llamba e tij mbi të po shuhet.
18:7 Hapat e tij të fuqishëm shkurtohen dhe vetë planet e tij po e çojnë në greminë.
18:8 Sepse këmbët e tij e shtyjnë në rrjetë dhe ai do të bjerë në ndonjë lak.
18:9 Një çark e kap nga thembra dhe një lak e mban fort.
18:10 Për të ka një lak të fshehur në tokë dhe një çark të vënë në shteg.
18:11 Gjëra të tmerrshme e trembin nga çdo anë dhe e ndjekin në çdo hap.
18:12 Forca e tij pakësohet për shkak të urisë dhe shkatërrimi është gati ta godasë anash.
18:13 Gëlltit copa të lëkurës së tij; i parëlinduri i vdekjes gllabëron gjymtyrët e tij.
18:14 Atë e rrëmbejnë nga çadra tij që e dinte të sigurt dhe e çojnë para mbretit të tmerrit.
18:15 Në çadrën e tij banon ai që nuk është nga të vetët, dhe mbi shtëpinë e tij hedhin squfur.
18:16 Rrënjët poshtë thahen dhe degët lart priten.
18:17 Kujtimi i tij zhduket nga toka dhe emri i tij nuk do të përmendet më nëpër rrugë.
18:18 Ai shtyhet nga drita në terr dhe atë e përzënë nga bota.
18:19 Nuk ka as bij, as pasardhës në popullin e tij dhe asnjë që të mbijetojë në banesën e tij.
18:20 Fundi i tij i lë të habitur ata që e kanë ndjekur dhe mbeten të tmerruar ata që e kanë pararendur.
18:21 Pikërisht kështu janë banesat e njerëzve të këqij, dhe ky është vendi i atij që nuk e njeh Perëndinë”. Përgjigja e pestë e Jobit; ai e ndjen veten të përqeshur; gjithçka është kundër tij