Jobi 20

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Fjalimi i dytë i Zofarit: triumfi i të këqijve zgjat pak

20:1 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

20:2 “Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime.

20:3 Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj.

20:4 A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë,

20:5 triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast?

20:6 Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë,

20:7 ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: “Ku është?”.

20:8 Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate.

20:9 Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më.

20:10 Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij.

20:11 Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të.

20:12 Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë,

20:13 nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë.

20:14 Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij.

20:15 Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t`ia nxjerrë nga barku.

20:16 Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë.

20:17 Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë.

20:18 Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij.

20:19 Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar.

20:20 Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë.

20:21 Asgjë nuk do t`i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë.

20:22 Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij.

20:23 Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë.

20:24 Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi.

20:25 Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri.

20:26 Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth.

20:27 Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij.

20:28 Të ardhurat e shtëpisë së tij do t`i merren, do t`i marrin në ditën e zemërimit të tij.

20:29 Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia.

[previous][next]