Jobi 29

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Përgjigja e nëntë dhe e fundit e Jobit, që kujton të kaluarën e tij të lumtur

29:1 Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:

29:2 “Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,

29:3 kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;

29:4 siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,

29:5 kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;

29:6 kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.

29:7 Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,

29:8 të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;

29:9 princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;

29:10 zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.

29:11 veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,

29:12 sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.

29:13 Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.

29:14 Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë.

29:15 Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin;

29:16 isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja.

29:17 I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij.

29:18 Dhe mendoja: “Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra;

29:19 rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time;

29:20 lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time”.

29:21 Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time.

29:22 Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese.

29:23 Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit.

29:24 Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime.

29:25 Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit.

[previous][next]