BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Vajtimi i Jobit
3:1 Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.
3:2 Kështu Jobi mori fjalën dhe tha:
3:3 “Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: “U ngjiz një mashkull!”.
3:4 Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!
3:5 E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!
3:6 Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!
3:7 Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.
3:8 E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.
3:9 U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,
3:10 sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.
3:11 Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?
3:12 Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë?
3:13 Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,
3:14 bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,
3:15 ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.
3:16 Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?
3:17 Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.
3:18 Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.
3:19 Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.
3:20 Pse t`i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,
3:21 të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;
3:22 gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?
3:23 Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?
3:24 Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.
3:25 Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.
3:26 Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi”.