BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Jobi tregon gjendjen e tij aktuale të trishtuar
30:1 “Tani përkundrazi më të rinjtë se unë më përqeshin, ata që etërit e tyre nuk do të kishin pranuar t`i vija midis qenve të kopesë sime.
30:2 Fundja, për çfarë do të më shërbente forca e duarve të tyre? Fuqia e tyre është shkatërruar.
30:3 Të sfilitur nga mizerja dhe nga uria, ikin natën në shketëtirën e shkretuar dhe shterpë,
30:4 duke shkulur bar të hidhur pranë gëmushave dhe rrënjë gjineshtre për ushqimin e tyre.
30:5 Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës.
30:6 Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve;
30:7 ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat;
30:8 njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre.
30:9 Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre.
30:10 Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë.
30:11 Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje.
30:12 Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë.
30:13 Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon.
30:14 Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi.
30:15 Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re.
30:16 Unë shkrihem përbrenda, dhe ditët e hidhërimit më kanë pushtuar.
30:17 Natën ndjej sikur më shpojnë kockat, dhe dhembjet më brejnë pa pushim.
30:18 Nga dhuna e madhe rrobat e mia deformohen, më shtrëngojnë përreth si jaka e mantelit tim.
30:19 Ai më ka hedhur në baltë dhe jam bërë si pluhuri dhe hiri,
30:20 Unë të bërtas ty, dhe ti nuk më përgjigjesh; të rri përpara, por ti rri duke më shikuar.
30:21 Je bërë mizor me mua; më përndjek me fuqinë e dorës sate.
30:22 Më ngre lart mbi erën, bën që të eci kaluar mbi të dhe më zhduk në stuhi.
30:23 E di në të vërtetë që ti më çon në vdekje, në shtëpinë ku mblidhen gjithë të gjallët.
30:24 me siguri nuk do ta shtrijë dorën e tij te varri, megjithëse në fatkeqësinë e tij bërtet për të kërkuar ndihmë.
30:25 A nuk kam qarë vallë për atë që ishte në fatkeqësi, dhe a nuk jam hidhëruar për të varfrin?
30:26 Kur prisja të mirën, erdhi e keqja; kur prisja dritën, erdhi errësira.
30:27 Zorrët e mia ziejnë pa pushim, kanë ardhur për mua ditë vuajtjesh.
30:28 Shkoj rreth e qark i nxirë, krejt, por jo nga dielli; ngrihem në kuvend dhe bërtas për të kërkuar ndihmë.
30:29 Jam bërë vëlla me çakallin dhe shok me strucin.
30:30 Lëkura ime që më mbulon është nxirë dhe kockat e mia digjen nga nxehtësia.
30:31 Qestja ime shërben vetëm për vajtime dhe flauti im për tinguj vajtues.