BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Jobi pohon ndershmërinë e tij morale
31:1 “Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?
31:2 Cili është fati që më ka caktuar Perëndia nga atje lart dhe trashëgimia e të Plotfuqishmit nga vendet e larta?
31:3 A nuk është vallë fatkeqësia për njeriun e çoroditur dhe mjerimi për atë që kryen të keqen?
31:4 Nuk i shikon ai tërë rrugët e mia dhe nuk i numëron të gjitha hapat që bëj?
31:5 Në rast se kam vepruar me falsitet, ose në rast se këmba ime është shpejtuar të ndjekë mashtrimin,
31:6 le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë ndershmërinë time.
31:7 Në qoftë se hapat e mia kanë dalë nga rruga e drejtë, dhe në qoftë se zemra ime ka ndjekur sytë e mi, apo në se ndonjë njollë u është ngjitur duarve të mia,
31:8 le të mbjell unë dhe një tjetër të hajë, dhe pasardhësit e mi u çrrënjofshin.
31:9 Në rast se zemra ime është mashtruar nga një grua dhe kam përgjuar në portën e të afërmit tim,
31:10 gruaja ime le të bluajë për një tjetër dhe të tjerë u përkulshin mbi të.
31:11 Sepse kjo do të ishte një mbrapshti, një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët,
31:12 një zjarr që konsumon deri në Abadon, dhe do të kishte shkatërruar deri në rrënjë gjithë të korrat e mia.
31:13 Në rast se kam hedhur poshtë të drejtën e shërbëtorit tim dhe të shërbëtores sime, kur po grindeshin me mua,
31:14 çfarë do të bëja kur Perëndia të ngrihej kundër meje, dhe si do t`i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari?
31:15 Ai që më ka bërë mua në barkun e nënës, a nuk e ka bërë edhe atë? A nuk ka qenë po ai Perëndi që na ka krijuar në bark?
31:16 Në rast se u kam refuzuar të varfërve atë që dëshironin dhe bëra të veniten sytë e gruas së ve,
31:17 në rast se e hëngra vetëm copën e bukës pa i dhënë një pjesë jetimit,
31:18 (por që në rininë time unë e rrita si një baba, dhe që në bark të nënës sime e kam ndihmuar gruan e ve)
31:19 në rast se kam parë dikë të vdesë për mungesë rrobash ose një të varfër që nuk kishte me se të mbulohej,
31:20 në rast se ijet e tij nuk më kanë bekuar, dhe nuk është ngrohur me leshin e qengjave të mi,
31:21 në qoftë se kam ngritur dorën kundër jetimit, sepse e dija që do të ndihmohesha tek porta,
31:22 supi im u ndaftë nga shpatulla, krahu im u theftë në bërryl!
31:23 Sepse fatkeqësia që vjen nga Perëndia më kall drithma, dhe për shkak të madhështisë së tij nuk mund të bëj asgjë.
31:24 Në qoftë se kam pasur besim tek ari, dhe arit të kulluar i kam thënë: “Ti je shpresa ime”,
31:25 në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri,
31:26 në qoftë se kam shikuar diellin kur shkëlqen ose hënën që shkonte përpara duke ndritur, dhe zemra ime u mashtrua tinëz dhe goja ime puthi dorën time;
31:27 edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.
31:28 Në rast se jam gëzuar për fatkeqësinë e armikut tim dhe u ngrita, sepse e kishte goditur fakeqësia
31:29 (por unë nuk e lejova gojën time të mëkatonte, duke i uruar të vdesë me një mallkim);
31:30 në qoftë se njerëzit e çadrës sime nuk kanë thënë: “Kush mund të gjejë një që nuk është ngopur me mishin e tij?”.
31:31 (përveç kësaj asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit);
31:32 në rast se i kam mbuluar mëkatet e mia si Adami, duke e fshehur fajin tim në gji,
31:33 sepse kisha frikë nga turma e madhe dhe përbuzja e familjeve më tmerronte, kështu që rrija i heshtur pa dalë nga shtëpia.
31:34 Ah, sikur të kisha një që të më dëgjonte! Ja firma ime! I Plotfuqishmi të më përgjigjet! Kundërshtari im të shkruajë një dokument,
31:35 dhe unë do ta mbaja me siguri mbi shpatullat e mia, dhe do ta mbaja si një diademë
31:36 do t`i jepja llogari për të gjitha hapat e mia, duke iu paraqitur si një princ.
31:37 Në qoftë se toka ime bërtet kundër meje dhe brazdat e saj qajnë bashkë me të,
31:38 në rast se kam ngrënë frytin e saj pa paguar, në rast se u kam nxjerrë frymën e fundit zotërve të saj,
31:39 në vend të grurit u rritshin ferra dhe barëra të këqija në vend të elbit”.
31:40 Këtu mbarojnë fjalët e Jobit.