BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Ndëryrja e Elihut që qorton Jobin
32:1 Atëherë këta tre njerëz nuk iu përgjigjën më Jobit, sepse ai e ndjente veten të drejtë.
32:2 Por zemërimi i Elihut, birit të Barakelit, Buzitit, nga fisi i Ramit, u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia.
32:3 Zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre miqve të tij, sepse nuk kishin gjetur përgjigjen e drejtë, megjithëse e dënonin Jobin.
32:4 Elihu kishte pritur për t`i folur Jobit, sepse ata ishin më të moshuar se ai.
32:5 Por kur Elihu u bind që në gojën e këtyre tre njerëzve nuk kishte më përgjigje, ai u zemërua.
32:6 Kështu Elihu, bir i Barakelit, Buzitit, mori fjalën dhe tha: “Unë jam akoma i ri me moshë dhe ju jeni pleq; prandaj ngurrova dhe pata frikë t`ju parashtroj mendimin tim.
32:7 Thoja: “Do të flasë mosha dhe numri i madh i viteve do t`u mësojë diturinë”.
32:8 Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë.
32:9 Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë ose pleqtë që kuptojnë drejtësinë.
32:10 Prandaj them: Dëgjomëni, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
32:11 Ja, prita fjalimet tuaja, dëgjova argumentat tuaja, ndërsa kërkonit të thonit diçka.
32:12 Ju kam ndjekur me vëmendje, dhe ja, asnjëri prej jush nuk e bindi Jobin ose nuk iu përgjigj fjalëve të tij.
32:13 Mos thoni, pra: “Kemi gjetur diturinë; vetëm Perëndia mund ta mundë plotësisht, por jo njeriu!”.
32:14 Ai nuk i ka drejtuar fjalimet e tij kundër meje, prandaj nuk do t`i përgjigjem me fjalët tuaja.
32:15 Janë hutuar, nuk përgjigjen më, nuk gjejnë fjalë.
32:16 Duhet të pres akoma, sepse nuk flasin më, rrinë aty pa dhënë asnjë përgjigje.
32:17 Do të paraqes edhe unë pjesën time, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
32:18 Sepse kam plot fjalë dhe fryma përbrenda më detyron.
32:19 Ja, gjiri im është si vera që nuk ka një shfrim, si shakujt e rinj, gati për të plasur.
32:20 Do të flas, pra, për të pasur një lehtësim të vogël, do të hap buzët dhe do të përgjigjem.
32:21 Tani më lejoni të flas pa treguar anësi me asnjë dhe pa i bërë lajka kurrkujt;
32:22 sepse unë nuk di të bëj lajka, përndryshe Krijuesi im do të më hiqte shpejt nga mesi”.