Jobi 35

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Elihu qorton ashpër Jobin

35:1 Elihu vazhdoi të flasë dhe tha:

35:2 “A të duket një gjë e drejtë kur thua: “Jam më i drejtë se Perëndia”?

35:3 Në fakt ke thënë: “Ç`dobi ke? Çfarë dobie do të kisha nga mëkati im?”.

35:4 Do të të përgjigjem ty dhe miqve të tu bashkë me ty.

35:5 Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti.

35:6 Në qoftë se ti mëkaton, çfarë efekti ka mbi të? Në qoftë se ti i shumëzon prapësitë e tua çfarë dëmi i shkakton?

35:7 Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote?

35:8 Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t`i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu.

35:9 Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës së të fuqishmëve;

35:10 por asnjeri nuk thotë: “Ku është Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi,

35:11 që na mëson më tepër gjëra se sa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?”

35:12 Kështu ngrihen zëra, por ai nuk përgjigjet për shkak të krenarisë së njerëzve të këqij.

35:13 Me siguri Perëndia nuk ka për t`i dëgjuar ligjëratat boshe dhe i Plotfuqishmi nuk do t`jua vërë veshin.

35:14 Edhe sikur ti të thuash se nuk e shikon atë, çështja jote qëndron para tij, dhe ti duhet të presësh.

35:15 Por tani, duke qenë se në zemërimin e tij ai nuk dënon dhe nuk u jep shumë rëndësi shkeljeve,

35:16 Jobi hap kot buzët dhe mbledh fjalë që nuk kanë arsye”.

[previous][next]