BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
37:1 Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj.
37:2 Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj!
37:3 Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës.
37:4 Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij.
37:5 Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t`i kuptojmë.
37:6 I thotë në fakt borës: “Bjerë mbi tokë”, ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta.
37:7 Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij.
37:8 Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre.
37:9 Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut.
37:10 Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet.
37:11 I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota.
37:12 Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar.
37:13 I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi.
37:14 Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!
37:15 A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij?
37:16 A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha?
37:17 A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut?
37:18 Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë?
37:19 Na mëso se çfarë duhet t`i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën.
37:20 A mund t`i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri.
37:21 Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re.
37:22 Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme.
37:23 Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri.
37:24 Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur”.
[previous][next]