Jobi 41

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR



41:1 A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar?

41:2 A mund t`i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t`i shposh nofullën me një çengel?

41:3 A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla?

41:4 A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë?

41:5 A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua?

41:6 Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve?

41:7 A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja?

41:8 Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar.

41:9 Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri.

41:10 Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?

41:11 Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja.

41:12 Nuk do t`i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij.

41:13 Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t`i afrohet me një fre të dyfishtë?

41:14 Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij?

41:15 Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule.

41:16 Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre.

41:17 Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen.

41:18 Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit.

41:19 Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri.

41:20 Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan.

41:21 Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë.

41:22 Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri.

41:23 Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin.

41:24 Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës.

41:25 Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar.

41:26 Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën.

41:27 E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi.

41:28 Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte.

41:29 Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës.

41:30 Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë.

41:31 E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem.

41:32 Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat.

41:33 Mbi tokë nuk ka asgjë që t`i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë.

41:34 Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore”.

[previous][next]