BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Përgjigja e parë e Jobit: miqtë nuk e ndihmojnë aspak
6:1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
6:2 “Ah, sikur dhembja ime të ishte peshuar tërësisht, dhe fatkeqësia ime të vihej bashkë mbi peshoren,
6:3 do të ishte me siguri më e rëndë se rëra e detit! Për këtë arsye fjalët e mia nuk u përfillën.
6:4 Duke qenë se shigjetat e të Plotfuqishmit janë brenda meje, shpirti im ua pi vrerin; tmerrete Perëndisë janë renditur kundër meje.
6:5 Gomari i egër a pëllet vallë përpara barit, ose kau a buluron para forazhit të tij?
6:6 A hahet vallë një ushqim i amësht pa kripë, apo ka ndonjë farë shije në të bardhën e vezës?
6:7 Shpirti im nuk pranon të prekë gjëra të tilla, ato për mua janë si një ushqim i neveritshëm.
6:8 Ah sikur të mund të kisha atë që kërkoj, dhe Perëndia të më jepte atë që shpresoj!
6:9 Dashtë Perëndia të më shtypë, të shtrijë dorën e tij dhe të më shkatërrojë!
6:10 Kam megjithatë këtë ngushëllim dhe ngazëllehem në dhembjet që nuk po më kursehen, sepse nuk i kam fshehur fjalët e të Shenjtit.
6:11 Cila është forca ime që ende të mund të shpresoj, dhe cili është fundi im që të mund ta zgjas jetën time?
6:12 Forca ime a është vallë ajo e gurëve, ose mishi im është prej bronzi?
6:13 A s`jam fare pa ndihmë në veten time, dhe a nuk është larguar nga unë dituria?
6:14 Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.
6:15 Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken.
6:16 Ato turbullohen për shkak të akullit dhe në to fshihet bora,
6:17 por gjatë stinës së nxehtë ato zhduken; me vapën e verës ato nuk duken më në vendin e tyre.
6:18 Ato gjarpërojnë në shtigjet e shtretërve të tyre; futen në shketëtirë dhe mbarojnë.
6:19 Karvanet e Temas i kërkojnë me kujdes, udhëtarët e Shebës kanë shpresa tek ata,
6:20 por ata mbeten të zhgënjyer megjithë shpresat e tyre; kur arrijnë aty mbeten të hutuar.
6:21 Tani për mua ju jeni e njëjta gjë, shikoni tronditjen time të thellë dhe keni frikë.
6:22 A ju kam thënë vallë: “Më jepni diçka” o “më bëni një dhuratë nga pasuria juaj”,
6:23 ose “liromëni nga duart e armikut”, ose “më shpengoni nga duart e personave që përdorin dhunën”?
6:24 Më udhëzoni, dhe do të hesht; më bëni të kuptoj ku kam gabuar.
6:25 Sa të frytshme janë fjalët e drejta! Por çfarë provojnë argumentet tuaja?
6:26 Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era?
6:27 Ju do të hidhnit në short edhe një jetim dhe do të hapnit një gropë për mikun tuaj.
6:28 Por tani pranoni të më shikoni, sepse nuk do të gënjej para jush.
6:29 Ndërroni mendim, ju lutem, që të mos bëhet padrejtësi! Po, ndërroni mendim, sepse bëhet fjalë për drejtësinë time.
6:30 A ka vallë paudhësi në gjuhën time apo qiellza ime nuk i dallon më ligësitë?”.