BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Jobi i ankohet Perëndisë për sprovat e tij të ndryshme
7:1 “A nuk kryen vallë një punë të rëndë njeriu mbi tokë dhe ditët e tij a nuk janë si ditët e një argati?
7:2 Ashtu si skllavi dëshiron fort hijen dhe ashtu si argati pret mëditjen e tij,
7:3 kështu edhe mua më ranë muaj fatkeqësie dhe m`u caktuan net me dhembje.
7:4 Sa shtrihem, them: “Kur do të ngrihem?”. Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim.
7:5 Mishi im është i mbuluar me krimba dhe me buca dheu, lëkura ime plasaritet dhe është bërë e pështirë.
7:6 Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i një endësi dhe po harxhohen pa shpresë.
7:7 Kujto që jeta ime është një frymë; syri im nuk do të shohë më të mirën.
7:8 Syri i atij që më shikon nuk do të më shohë më; sytë e tu do të jenë mbi mua, por unë nuk do të jem më.
7:9 Ashtu si reja davaritet dhe nuk duket më, kështu ai që zbret në Sheol nuk kthehet më;
7:10 nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij, dhe banesa e tij nuk do ta njohë më.
7:11 Prandaj nuk do ta mbaj gojën të mbyllur do të flas në ankthin e frymës time; do të ankohem në hidhërimin e shpirtit tim.
7:12 A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje?
7:13 Kur unë them: “Shtrati im do të më japë një lehtësim, shtroja ime do ta zbusë dhembjen time”,
7:14 ti më tremb me ëndrra dhe më tmerron me vegime;
7:15 kështu shpirtit tim i parapëlqen të mbytet dhe të vdesë se sa të bëjë këtë jetë.
7:16 Unë po shpërbëhem; nuk kam për të jetuar gjithnjë; lërmë të qetë; ditët e mia nuk janë veçse një frymë.
7:17 Ç`është njeriu që ti ta bësh të madh dhe të kujdesesh për të,
7:18 dhe ta vizitosh çdo mëngjes duke e vënë në provë në çdo çast?
7:19 Kur do ta heqësh shikimin tënd nga unë dhe do të më lësh të përcjell pështymën time?
7:20 Në rast se kam mëkatuar, çfarë të kam bërë ty, o rojtar i njerëzve? Pse më ke bërë objekt të goditjeve të tua, aq sa i jam bërë barrë vetes sime?
7:21 Pse nuk i fal shkeljet e mia dhe nuk e kapërcen paudhësinë time? Sepse shpejt do të jem pluhur; ti do të më kërkosh, por unë nuk do të jem më”.