SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Pali në Korint, dhe në Efes; kthimi në Jeruzalem
 18:1  Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.
 18:2  Dhe si gjeti një farë Judeu, me emër Akuila, lindur në Pont, i ardhur rishtas nga Italia bashkë me gruan e tij Priskilën (sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë Judenjtë të largohen nga Roma), shkoi tek ata.
 18:3  Dhe duke qenë se kishin të njëjtën mjeshtëri, shkoi të banojë me ta dhe punonte; se mjeshtëria e tyre ishte të bënin çadra.
 18:4  Çdo të shtunë mësonte në sinagogë dhe bindte Judenj dhe Grekë.
 18:5  Kur Sila dhe Timoteu zbritën nga Maqedonia, Pali shtyhej nga Fryma për t`u dëshmuar Judenjve se Jezusi ishte Krishti.
 18:6  Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: “Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë“.
 18:7  Dhe, mbasi u largua prej andej, hyri në shtëpinë e një farë njeriu me emër Just, i cili i shërbente Perëndisë dhe e kishte shtëpinë ngjtur me sinagogën.
 18:8  Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan.
 18:9  Një natë Zoti i tha Palit në vegim: “Mos druaj, por fol dhe mos pusho,
 18:10  sepse unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, sepse unë kam një popull të madh në këtë qytet“.
 18:11  Kështu ai qëndroi atje një vit e gjashtë muaj, duke mësuar ndër ta fjalën e Perëndisë.
 18:12  Por, kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, Judenjtë u ngritën me një mendje kundër Palit dhe e çuan në gjykatë,
 18:13  duke thënë: “Ky ua mbush mendjen njerëzve t`i shërbejnë Perëndisë, në kundërshtim me ligjin“.
 18:14  Dhe kur Pali donte të hapte gojën, Galioni u tha Judenjve: “Po të qe puna për ndonjë padrejtësi ose keqbërje, o Judenj, do t`ju dëgjoja me durim, sipas arsyes;
 18:15  por nëse janë çështje për fjalë, për emra dhe ligjin tuaj, shikojeni ju vetë, sepse unë nuk dua të jem gjykatës i këtyre gjërave“.
 18:16  Dhe i përzuri ata nga gjykata.
 18:17  Atëherë të gjithë Grekët zunë Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës. Por Galioni nuk donte t`ia dinte fare për këto gjëra.
 18:18  Dhe Pali, mbasi qëndroi atje edhe shumë ditë, u nda nga vëllezërit dhe lundroi për në Siri me Priskilën dhe Akuilën, pasi e qethi kokën në Kenkrea, sepse kishte bërë një premtim solemn.
 18:19  Dhe, kur arriti në Efes, i la aty, po vetë hyri në sinagogë dhe filloi të diskutojë me Judenjtë.
 18:20  Ata iu lutën të rrinte me ta më gjatë, por ai nuk pranoi;
 18:21  por u nda prej tyre duke thënë: “Më duhet gjithsesi ta kaloj festën e ardhshme në Jeruzalem, por, në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju“. Dhe u nis nga Efesi nëpër det.
 18:22  Si zbarkoi në Cezari, u ngjit në Jeruzalem, dhe si u përshëndet me kishën, zbriti në Antioki.
 18:23  Dhe, mbasi qëndroi atje pak kohë, u nis dhe përshkoi me radhë rrethinat e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë dishepujt.
Apollo në Efes dhe në Korint
 18:24  Por një Jude, me emër Apollo, lindur në Aleksandri, njeri orator dhe njohës i Shkrimit, arriti në Efes.
 18:25  Ai ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe, i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte me zell gjërat e Zotit, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.
 18:26  Ai filloi të flasë lirisht në sinagogë. Dhe, kur Akuila dhe Priskila e dëgjuan, e morën me vete dhe ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë.
 18:27  Pastaj, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Mbasi arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata që kishin besuar me anë të hirit.
 18:28  Ai në fakt, i kundërshtonte botërisht me forcë të madhe Judenjtë, duke treguar me anë të Shkrimeve se Jezusi është Krishti.
