1 Janar

1 janar – ÇDO DITË ME RADHË

«Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit» (Eksodi 12:2).

Vendimet e Vitit të Ri janë të mira, por edhe të brishta, domethënë, ato thyhen lehtë. Lutjet e Vitit të Ri janë më të mira; ato ngjiten para fronit të Perëndisë dhe vënë në lëvizje rrota që japin përgjigje. Ndërsa i afrohemi fillimit të një viti tjetër, bëjmë mirë t’i bëjmë tonat kërkesat e lutjes më poshtë:

Zoti Jezus, ta ripërkushtoj rishtas jetën time Ty sot. Dua që ta marrësh jetën time në vitin që po vjen dhe ta përdorësh për lavdinë Tënde. «Merre jetën se ta lë, ta kushtoj Ty Zot atë».

Unë lutem që do të më ruash nga mëkati, nga çdo gjë që do t’i sillte turp Emrit Tënd.

Bëj që të jem i gatshëm për të mësuar nga Fryma e Shenjtë. Dua që të ec përpara për Ty. Mos më lejo që të bëhem pre e rutinës.

Qoftë motoja ime këtë vit: «Ai duhet të rritet; unë duhet të zvogëlohem». Lavdia le të jetë e gjitha jotja. Më ndihmo që të mos e prek.

Më mëso që ta parashtroj si lutje çdo vendim që duhet të marr. Dridhem nga mendimi që të mbështetem në gjykimin tim. «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij», Jeremia 10:23.

Le të vdes për botën dhe madje për aprovimin apo qortimin e të afërmve dhe miqve të dashur. Me jep një dëshirë të pastër dhe të vetme për të bërë ato gjëra që i pëlqejnë zemrës sate.

Më ruaj nga thashethemet dhe kritikat ndaj të tjerëve. Madje më ndihmo që të them atë që është ndërtuese dhe e dobishme.

Me drejto te shpirtrat nevojtarë. Le të bëhem një mik i mëkatarëve, siç je Ti. Me jep lot dhembshurie për ata që po humbin. «Le ta vështroj turmën ashtu si Shpëtimtari, gjersa sytë nga lotët të më erren; Le ta shikoj me keqardhje delen bredharake, dhe t’i dua për hir të Tij».

Zoti Jezus, më ruaj që të mos bëhem i ftohtë, i hidhur ose cinik, pavarësisht nga çdo gjë që mund të më ndodhë në jetën e krishterë.

Më ndihmo në administrimin e parave. Më ndihmo që të jem një administrator i mirë në gjithçka që me ke besuar.

Më ndihmo që të kujtoj herë pas here se trupi im është një tempull i Frymës së Shenjtë. Le të ndikojë kjo e vërtetë e pamasë gjithë sjelljen time.

Dhe, Zoti Jezus, unë lutem që ky vit të jetë ai i kthimit tënd. Mezi pres që të shoh fytyrën tënde dhe të bie para këmbëve të tua në adhurim. Gjatë vitit që po vjen, le të ngelet e freskët kjo shpresë e bekuar në zemrën time, duke më shkëputur nga çdo gjë që do të më mbante këtu dhe duke më mbajtur në kulmin e pritjes. «Po, eja Zoti Jezus».