1 korrik

[no_toc]

1 korrik

«…atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem» (1 e Korintasve 13:12).

Është krejt normale dhe e kuptueshme për ne si të krishterë që të pyesim veten nëse do t’i njohim të dashurit [të afërmit] tanë në qiell. Ndonëse nuk ka asnjë shkrim [biblik] që e trajton në mënyrë specifike këtë temë, ka disa linja arsyetimi që na çojnë drejt një konkluzioni pozitiv.

Para së gjithash, dishepujt e njohën Jezusin në trupin e Tij të ringjallur e të lavdishëm. Pamja fizike e Tij ishte e pandryshuar. Nuk ekzistonte asnjë gabim që ishte «i njëjti Jezus». Kjo sugjeron që edhe ne do të kemi tiparet tona dalluese në qiell, edhe pse në një formë të lavdishme. Nuk ka asnjë sugjerim që do të dukemi të gjithë njëlloj. Kur thuhet në 1 Gjonit 3:2 që do të jemi të ngjashëm me Zotin Jezus, do të thotë që do të jemi moralisht të ngjashëm me Të, d.m.th., përgjithmonë të lirë nga mëkati dhe pasojat e tij. Por sigurisht që nuk do të jemi të ngjashëm me Të që të ngatërrohemi me Të. Kurrë!

Së dyti, nuk kemi arsye të besojmë se në qiell do të njohim më pak, sesa njohim këtu poshtë. Ne e njohim njëri-tjetrin këtu poshtë; përse duhet menduar e çuditshme që ta njohim njëri-tjetrin atje lart? Nëse atëherë do të njohim ashtu sikurse njihemi tani, kjo duhet të jetë vendimtare.

Pali priste që t’i njihte thesalonikasit në qiell. Ai tha se ata do të jenë shpresa, gëzimi dhe kurora e lavdisë [gëzimit] së tij (1 Thes. 2:19).

Ka tregues në Bibël që njerëzve u janë dhënë dhe do t’u jepen aftësi për të identifikuar njerëz që ata nuk i kanë parë kurrë më parë. Pjetri, Jakobi dhe Gjoni e njohën Moisiun dhe Elian në malin e shpërfytyrimit (Mt. 17:4).

Pasaniku në hades [ferr] e njohu Abrahamin (Luka 16:24). Jezusi u tha judenjve se ata do të shihnin Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë (Luka 13:28). Neve na thuhet që të bëjmë miq përmes administrimit të mençur të parave tona, që këta miq të na mirëpresin në banesat e përjetshme (që supozon se ata do të na njohin si mirëbërësit e tyre) (Luka 16:9).

Por këtu duhet të shtojmë një fjalë paralajmërimi! Ndërkohë që duket e qartë se do t’i njohim të dashurit tanë në qiell, ne nuk do t’i njohim ata në po ato marrëdhënie që ekzistonin në tokë. Për shembull, marrëdhënia burrë-grua nuk do të jetë më në fuqi. Kjo duket se është domethënia e qartë e fjalëve të Shpëtimtarit në Mateu 22:30: «Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë».