10 dhjetor

[no_toc]

10 dhjetor

«…ata […] ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë» (Veprat e Apostujve 18:26b).

Kur u shpjegojmë të tjerëve udhën e shpëtimit është tejet e rëndësishme që ta «bëjmë mesazhin të qartë dhe të thjeshtë», duke shmangur çdo gjë që mund t’i pështjellojë ata. Tashmë ata janë mjaft të pështjelluar në përgjithësi, pasi Satani ua ka «verbuar mendjet atyre që nuk besojnë» (2 e Korintasve 4:4).

Më lejoni t’ju jap një shembull se si mund të themi gjëra që janë bllokues të vërtetë për veshët e të pakthyerve. Ne fillojmë t’i dëshmojmë një të riu të cilin e kemi takuar për herë të parë. Para se të kemi shkuar shumë me bisedën, ai na ndërpret, duke na thënë: «Unë nuk besoj në fe. E kam provuar fenë dhe nuk bëri asgjë për mua». Kësaj ne priremi t’i përgjigjemi: «Edhe unë nuk besoj në fe dhe nuk predikoj fenë».

Ndalo pak këtu! A arrin ta kuptosh sa pështjelluese është kjo për atë? Ja ku jemi, duke i folur për çështje që janë në mënyrë të qartë fetare dhe, prapëseprapë, i themi atij se nuk besojmë në fe. Kjo mjafton që t’ia heq trurin!

Sigurisht e di se çfarë duam të themi. Ne duam të themi se nuk po i kërkojmë të bashkohet me një kishë apo një grupim [denominacion], por që të hyjë në një marrëdhënie me Zotin Jezus. Ne nuk po i mëshojmë kërkesës për një kredo, por për një Person. Ne nuk jemi duke përkrahur reformim, por rigjenerim, jo një kostum të ri për njeriun, por një njeri të ri për kostumin.

Por kur mendon për fenë, ai mendon për çdo gjë që ka të bëjë me adhurimin dhe shërbimin e Perëndisë. Fjala «fe» për shumë njerëz tregon një sistem besimesh dhe një mënyrë të dallueshme jetese që kanë të bëjnë në lidhjen e personit me Hyjninë. Prandaj kur i themi atij se nuk besojmë në fe, në mendjen e tij kalon menjëherë mendimi se ne duhet të jemi paganë ose ateistë. Para se të kemi një mundësi për të shpjeguar se çfarë duam të themi, ai tashmë na ka etiketuar si jofetarë [të pafe].

Në fakt, nuk është e vërtetë të themi se nuk besojmë në fe. Ne besojmë në doktrinat themelore të besimit të krishterë. Ne besojmë vërtet se ata që pohojnë besimin në Krishtin duhet ta tregojnë këtë me jetën e tyre. Ne besojmë se feja e pastër dhe pa njollë gjendet në kujdesin për jetimët dhe të vejat dhe që ta ruajmë veten të pastër nga bota (Jakobit 1:27).

Ajo që ne nuk besojmë është që feja të jetë shpëtimtari. Vetëm Krishti i gjallë mund të shpëtojë. Ne nuk besojmë në ndonjë version të holluar të krishterimit që gjendet kudo sot. Ne nuk besojmë në asnjë sistem që i nxit njerëzit të mendojnë se ata mund të shkojnë në qiell me veprat apo meritën e tyre. Por duhet të jemi në gjendje t’ua shpjegojmë këtë njerëzve pa i trullosur ata me bomba të papritura si «Edhe unë nuk besoj në fe». Le të mos bëjmë lojëra fjalësh kur kemi të bëjmë me shpirtra.

[previous][next]