10 maj

[no_toc]

10 maj | çdo ditë me radhë

«…ne i dimë qëllimet e tij» (2 e Korintasve 2:11).

Është e rëndësishme të dimë qëllimet [mekanizmat] e djallit, armikut tonë. Në të kundërt gjasat janë që ai do të na mashtrojë.

Ne duhet të dimë se ai është një gënjeshtar dhe se ka qenë i tillë që nga fillimi. Në fakt, ai është ati i rrenës (Gjoni 8:44). Ai e gënjeu Evën duke e paraqitur keq [shtrembëruar] Perëndinë dhe këtë ka qenë duke e bërë që nga fillimi.

Ai është një mashtrues (Zbulesa 20:10). Ai përzien pak të vërtetë me gabimin. Ai imiton ose falsifikon çdo gjë që është e Perëndisë. Ai hiqet si një engjëll i dritës dhe i dërgon lajmëtarët e tij si punëtorë të drejtësisë (2 e Korintasve 11:14, 15). Ai mashtron duke përdorur shenja [çudira] të mëdha dhe mrekulli të rreme (2 Thes. 2:9). Ai i korrupton mendjet e njerëzve (2 e Korintasve 11:3).

Satani është një shkatërrues vrastar (Gjoni 8:44; 10:10). Qëllimi i tij dhe qëllimi i të gjithë demonëve të tij është që të shkatërrojnë. Nuk ka asnjë përjashtim në këtë pohim. Si një luan i tërbuar ai sillet rreth e qark, duke kërkuar cilin mund të përpijë (1 Pjetrit 5:8). Ai i përndjek njerëzit e Perëndisë (Zbulesa 2:10) dhe i shkatërron skllevërit e vet me drogën, demonizmin, alkoolin, imoralitetin dhe të këqija të ngjashme.

Ai është paditësi i vëllezërve (Zbulesa 12:10). Fjala «djall» (Gr. diablos) do të thotë paditës ose shpifës dhe, siç është emri i tij, kështu është ai vetë. Të gjithë ata që shpifin për vëllezërit janë duke bërë punën e djallit.

Ai mbjell dekurajim. Pali i paralajmëroi korintasit se nëse nuk do ta falnin të larguarin e penduar, Satani mund t’i mashtronte duke e zhytur vëllain drejt një dekurajimi ekstrem (2 e Korintasve 2:7-11).

Ashtu sikurse Satani, duke folur përmes Pjetrit, kërkoi që ta bindte Jezusin që të mos shkonte në kryq (Marku 8:31-33), po kështu ai i nxit të krishterët që t’ia kursejnë vetes turpin dhe vuajtjet e mbajtjes së kryqit.

Një marifet i preferuar nga i ligu është që të përçajë dhe të mposhtë. Ai përpiqet të mbjellë mosmarrëveshje dhe grindje midis shenjtorëve, duke ditur që një «shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë». E trishtueshme për t’u thënë, por ai ka qenë mjaft i suksesshëm në këtë strategji.

Ai i verbon mendjet e jobesimtarëve, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit të mos ndriçojë tek ata dhe që ata të shpëtohen (2 e Korintasve 4:4). Ai i verbon ata përmes dëfrimit [argëtimit], fesë së rremë, zvarritjes dhe krenarisë. Ai i pushton ata me ndjenja më tepër se me fakte dhe me vetveten më tepër se me Krishtin.

Përfundimisht, Satani sulmon menjëherë pas fitoreve frymërore të mëdha ose pas përvojave të larta, kur rreziku i krenarisë është i madh. Ai është në kërkim të një pike të dobët në parzmoren tonë dhe godet drejt e atje.

Mbrojtja më e mirë kundër djallit është që të jetojmë në përbashkësi të kthjellët me Zotin, të veshur me takëmet mbrojtëse të një karakteri të shenjtë.