11 dhjetor

11 dhjetor

«Do t’i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mendjen tuaj, do t’i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve» (Ligji i Perterire 11:18).

Vargu i sotëm është i paplotë pa tre vargjet që pasojnë dhe prandaj po i citojmë këtu: «Dhe do t’ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh; do t’i shkruash në shtalkat e shtëpisë tënde dhe mbi portat e tua, me qëllim që ditët tuaja dhe ditët e bijve tuaj, në vendin që Zoti është betuar t’u japë etërve tuaj, të jenë të shumta si ditët e qiellit mbi tokë».

Këtu kemi një shpjegim të drejtpërdrejtë të rëndësisë që duhet të ketë Fjala e Perëndisë në jetën e popullit të Tij. Kur plotësohen këto kushte, besimtarët do të përjetojnë ditët e qiellit mbi tokë.

Së pari duhet të mësojmë përmendsh Fjalën, ose siç e thotë teksti, ta shtiem atë në zemrën dhe në mendjen tonë. Ai njeri që mëson përmendsh pjesë të mëdha të Shkrimit e pasuron jetën e vet dhe e rrit potencialin për të bekuar të tjerët.

Më pas Fjala duhet të lidhet në dorën tonë dhe në ballin tonë. Kjo nuk do të thotë të përdorim filakteri*, siç mendojnë disa, por për më tepër që veprimet (duart) dhe dëshirat (sytë) tona duhet të jenë në zotërimin e Krishtit.

Fjala e Perëndisë duhet të jetë tema qendrore e bisedave në shtëpi. Veç kësaj, çdo shtëpi duhet të ketë altarin familjar, kur shkrimet lexohen përditë dhe familja lutet së bashku. Askush nuk mund të njehsoj ndikimin shenjtërues të Biblës në një shtëpi të tillë.

Po kjo Fjalë duhet të na zotërojë kur ecim rrugës, kur rrimë shtrirë dhe kur çohemi. Me fjalë të tjera, Shkrimi duhet të bëhet aq shumë pjesë e jetës sonë, sa të mbruj bisedat tona kudo ku jemi dhe në çfarëdo që bëjmë. Ne duhet të flasim me gjuhën e Biblës.

A duhet të shkruajmë vargje në shtalkat dhe mbi portat tona? Një ide shumë e mirë! Shumë shtëpi të krishtera kanë në derën kryesore Jozueu 24:15 – «Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit». Dhe shumë më tepër shtëpi kanë tekste biblike të varura brenda mureve.

Kur i japim Shkrimit të Shenjtë vendin e duhur në jetën tonë, ne jo vetëm i kursejmë vetes orë të harxhuara me biseda të parëndësishme, por e angazhojmë veten me tema që kanë vërtet rëndësi, me tema që kanë pasoja të përjetshme dhe ruajmë një atmosferë të krishterë në shtëpitë tona.

(*) Filakteri, ose tefilin, këllëf lëkure që përmban tekste nga Shkrimet hebraike, që mbahet në ballë ose mbi krahun e majtë nga burrat judenj gjatë lutjes së mëngjesit.