11 korrik

[no_toc]

11 korrik

«Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur» (Filipianeve 3:12).

Në studimin e djeshëm pamë që sjellja jonë duhet t’i përgjigjet kredos sonë. Por që ta balancojmë këtë temë, duhet të shtojmë dy passhkrime.

Së pari, ne duhet të kuptojmë se, për aq kohë sa jemi në këtë botë, nuk do të arrijmë kurrë që ta jetojmë plotësisht dhe tërësisht të vërtetën e Perëndisë. Mbasi të kemi bërë më të mirën tonë të mundshme, neve prapë na duhet të themi që jemi shërbëtorë të padobishëm. Por nuk duhet ta përdorim këtë fakt si një justifikim për dështim ose madje mediokritet: detyrimi ynë është që të përpiqemi vazhdimisht për ta zvogëluar boshllëkun midis buzëve dhe jetëve tona.

Konsiderata e dytë është kjo. Lajmi është gjithnjë më i madh se lajmëtari, pavarësisht se kush është ai. Endrju Muri (Andrew Murray) tha: «Ne që jemi shërbëtorë të Zotit, herët a vonë, do të na duhet të predikojmë fjalë për të cilat ne vetë nuk jemi në gjendje t’i përmbushim». Tridhjetë e pesë vjet mbasi ai shkroi librin «Qëndro në Krishtin», ai shkroi: «Dua që ju të kuptoni se një shërbyes ose autor i krishterë mund të drejtohet shpesh që të thotë më shumë, sesa ka përjetuar. Unë atëherë (kur ai shkroi «Qëndro në Krishtin») nuk i kisha përjetuar të gjitha ato që shkrova. Nuk mund të them as tani që i kam përjetuar ato të gjitha».

E vërteta e Perëndisë është supreme dhe sublime. Ajo është aq hyjnore që, siç shkroi Gaj Kingu (Guy King), ajo «e bën dikë që të ketë drojë, se mos dikush në njëfarë mënyre e prish duke e prekur». Por a duhet që ajo të kalojë e pashpallur, thjesht ngaqë ne nuk i arrijmë majat e saj më të larta? Përkundrazi, ne do ta shpallim atë, edhe pse duke vepruar kështu e dënojmë vetveten. Deri në atë shkallë që dështojmë për ta përjetuar vetë, do të jemi duke e bërë atë aspiratën e zemrave tona.

Përsëri e theksojmë se këto konsiderata nuk duhet të përdoren kurrë për të justifikuar sjellje që janë të padenja për Shpëtimtarin. Por ato duhet të na ruajnë nga dënimi pa baza që mund t’i drejtojmë një njeriut të vërtetë të Perëndisë, thjesht ngaqë mesazhi i tij kërcen ndonjëherë në lartësi që ai vetë nuk i ka arritur. Dhe kjo nuk duhet të na ndalojë që të mos e shpallim të gjithë këshillën e Perëndisë, edhe pse ne nuk e kemi përjetuar plotësisht. Perëndia i njeh zemrat tona. Ai e di nëse ne jemi hipokritë praktikues ose aspirantë të pasionuar.