11 nëntor

[no_toc]

11 nëntor

«Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet» (Fjalet e Urta 18:13).

[Versioni] Bibla e Gjallë e perifrazon këtë varg: «Çfarë turpi – po, sa marrëzi! – të vendosësh para se t’i dish faktet!» Kjo përcakton një mësim të rëndësishëm. Ju nuk mund të merrni një vendim të zgjuar, nëse nuk i keni dëgjuar të gjitha faktet. Fatkeqësisht, shumë të krishterë nuk presin që t’i dëgjojnë të dyja anët e një çështjeje. Ata formojnë një gjykim mbi bazën e tregimit të një njeriu dhe shpesh ky gjykim është krejtësisht i gabuar.

Më 1797 Geri Bruks (emër imagjinar) ishte anëtar i bordit të dhjakëve të një kishe ungjillore. Ai ishte tepër i njohur. Kishte një personalitet të ngrohtë dhe dallues. Sa herë që hynte në një dhomë plot me njerëz, dukej sikur dhoma ndriçohej. Ai dallohej për shërbimin që u bënte anëtarëve të kishës sa herë që u duhej ndihmë. Ai ishte gjithmonë i vëmendshëm ndaj njerëzve të tjerë të kongregacionit. Gruaja dhe dy bijtë ishin gjithashtu aktivë në punët e kishës. Familja Bruks konsiderohej si një familje model.

Prandaj erdhi si bombë kur doli fjala se pleqtë e kishin disiplinuar Gerin duke e lëshuar nga puna si dhjak dhe duke i kërkuar që t’i shmangej pjesëmarrjes në shërbesën e përbashkësisë [Darka e Zotit]. Miqtë u grumbulluan në mbrojtje të tij dhe u bënë thirrje anëtarëve të tjerë të kishës që t’i kundërshtonin pleqtë për këtë vendim. Pleqtë ishin në disavantazh, duke mos dashur që të bënin një njoftim publik të gjithçkaje që dinin. Kështu që iu desh të rrinin dhe të dëgjonin lëvdatat e virtyteve të Gerit, duke ditur se kishte edhe një anë tjetër të çështjes. Dhe iu duhej që të hanin sharje të konsiderueshme gjatë këtij procesi.

Po çfarë dinin pleqtë? Ata e dinin se martesa e Gerit ishte afër dështimit, pasi ai kishte patur një lidhje me sekretaren e tij. Ata e dinin se ai i kishte shpërdorur fondet e kishës për të financuar jetesën e tij të lartë. Ata e dinin se ai ishte marrë me praktika biznesi joetike dhe që dëshmia e tij në botën e biznesit ishte negative. Gjithashtu ata e dinin se ai i kishte gënjyer ata kur e ballafaquan me prova të këtyre veprimeve të padrejta.

Në vend që t’i nënshtrohej disiplinës së pleqve, Geri i organizoi miqtë e tij në një kundërshtim të hapur, madje deri në rrezik të ndarjes së kishës. Përfundimisht disa nga ndjekësit e tij folën me një nga pleqtë dhe mësuan disa nga faktet e trishtueshme, por më pas ata ishin tepër të turpëruar që të ndryshonin mendjen. Kështu që vazhduan të luftonin në interes të tij.

Nga e gjithë kjo dalin tri mësime për ne. Së pari, mos u përpjek të formosh një gjykim, nëse nuk i di të gjitha faktet. Së dyti, nëse nuk mund t’i kesh të gjitha faktet, mbaje gjykimin. Së fundi, mos i lejo lidhjet e miqësisë të të bëjnë presion për të mbrojtur padrejtësinë.