12 maj

[no_toc]

12 maj | çdo ditë me radhë

«Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu që të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit» (1 e Korintasve 1:21).

Disa në kishën e Korintit po përpiqeshin ta bënin Ungjillin të respektueshëm nga ana intelektuale. Preokupimi i tyre me diturinë e kësaj bote i bëri të ndjeshëm ndaj atyre aspekteve të mesazhit të krishterë që ishin ofenduese për filozofët.

Mendimi nuk ishte për të braktisur besimin, por vetëm për ta rishpjeguar atë që të bëhej më i pëlqyeshëm për shkollarët.

Pali e qortoi ashpër këtë përpjekje për të bashkuar diturinë e botës me atë të Perëndisë. Ai e dinte shumë mirë që arritja e statusit intelektual do të çonte në humbje të fuqisë frymërore.

Le ta pranojmë! Në mesazhin e krishterë kemi atë [aspekt] që është skandal për judenjtë dhe marrëzi për johebrenjtë [paganët]. Dhe jo vetëm kaq – shumica e të krishterëve nuk janë nga ata që bota do t’i quante të ditur, të fuqishëm apo fisnikë. Herët a vonë do të përballemi me faktin që në vend që t’i përkasim inteligjencias [shtresës së intelektualëve], ne jemi të marrë, të dobët, jo fisnikë dhe të përçmuar – në fakt, ne jemi askushë për sa i përket botës.

Por fakti i mrekullueshëm është se Perëndia e përdor këtë mesazh, që duket si i marrë, për të shpëtuar ata që besojnë. Dhe Perëndia përdor njerëz të parëndësishëm si ne për të përmbushur qëllimet e Tij. Duke zgjedhur instrumente të dyshimtë si ne, Ai i turpëron të gjitha shkëlqimet dhe pretendimet e kësaj bote, duke eliminuar çdo mundësi mburrjeje nga ana tonë dhe siguron që vetëm Ai të lavdërohet për këtë.

Kjo nuk do të thotë që nuk ka vend për shkollim [studime akademike]. Sigurisht që ka vend. Por nëse ky shkollim nuk kombinohet me një gjendje frymërore të thellë, ai bëhet një gjë e mërzitshme dhe e rrezikshme. Kur shkollimi e gjykon Fjalën e Perëndisë, duke pohuar, për shembull, që disa autorë përdorën burime më të besueshme se të tjerët, kjo përfaqëson largim nga e vërteta e Perëndisë. Dhe kur japim miratimin tonë për shkollarë të tillë, ne jemi të cenueshëm ndaj të gjitha herezive të tyre.

Pali nuk shkoi te korintasit me shkëlqim fjalësh a diture. Ai vendosi që të mos dinte gjë tjetër ndër ata, veç Jezu Krishtin dhe Atë të kryqëzuar. Ai e dinte se fuqia gjendej në paraqitjen e thjeshtë dhe të çiltër të Ungjillit, jo në angazhimin me probleme të ngatërruara apo teori të padobishme ose në adhurimin e intelektualizmit.