15 dhjetor
«Ata që mbjellin me lot, do të korrin me këngë gëzimi. Vërtet ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet me këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij» (Psa. 126:5, 6).
Në Psalmi 126 bijtë e Izraelit janë duke rikujtuar kthimin e tyre në vend mbas robërisë në Babiloni. Kishte qenë sikur të ishin në një ëndërr, plot me qeshje dhe këngë. Madje dhe komshinjtë e tyre paganë kishin komentuar për gjërat e mëdha që Zoti kishte bërë për popullin e Tij.
Tani që ishin kthyer në tokën e tyre, u duhej të fillonin të mbillnin prodhime. Por kjo parashtronte një problem. Ata kishin sjellë me vete vetëm një sasi të kufizuar gruri. Atë mund ta përdornin si ushqim tani; në fund të fundit, nuk kishte prodhime nëpër fusha për t’u korrur nga ata. Ose atë mund ta përdornin si farë, duke e mbjellë në fusha me shpresën që në ditët e ardhshme të kishin një korrje të bollshme. Nëse vendosnin që pjesën më të madhe të saj ta përdornin si farë, kjo do të thoshte që u duhej të jetonin me kursim dhe sakrifica deri në kohën e korrjes. Ata vendosën për këtë të dytën.
Ndërsa fermeri doli nëpër fusha, futi dorën në torbën me farë dhe e shpërndau andej-këtej në tokën e pluguar, ai derdhi lot ndërsa mendonte për mungesat që iu duhej të duronin ai dhe familja deri në kohën e korrjes.
Por më vonë kur fushat gëlonin me grurin e artë, lotët e tij do të shndërroheshin në gëzim ndërsa fuste në koçek duajt e bërë. Të gjitha sakrificat që kishte bërë shtëpia e tij do të shpërbleheshin bujarisht.
Këtë mund ta mendojmë në lidhje me administrimin që u bëjmë gjërave materiale. Zoti i beson secilit prej nesh një sasi të kufizuar parash. Këtë ne mund ta shpenzojmë për vetëkënaqësi, duke blerë çdo gjë që na dëshiron zemra. Ose duke jetuar me sakrifica mund t’i investojmë ato në veprën e Zotit – për misionet jashtë vendit, për literaturë të krishterë, për transmetime radiofonike të Ungjillit, për kishën lokale dhe për shumë forma të tjera të aktiviteteve ungjillëzuese. Në këtë rast do të thotë të zgjedhësh një standard modest jetese që gjithçka tjetër mbi nevojat e domosdoshme të shkojë për veprën e Zotit. Kjo do të thotë që jetosh brenda një buxheti të kufizuar që shpirtrat të mos humbasin për mungesë të Ungjillit.
Por çdo sakrificë e tillë nuk do t’ia vlejë të përmendet kur të vijë koha e korrjes, kur do të shohim burra dhe gra në qiell si rezultat i jetesës sonë me sakrifica. Një person i shpëtuar nga ferri për t’u bërë një adhurues i Qengjit të Perëndisë për tërë përjetësinë vlen sa për çdo sakrificë që mund të bëjmë tani.