15 tetor
«Jerusalem, Jerusalem…! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!» (Mt. 23:37).Është quajtur humbja e një mundësie fetare. Kjo do të thotë që njerëzve iu është ofruar një mundësi e lavdishme, një vizitë mahnitëse, por ata dështojnë ta kapin atë.
Kjo është çfarë i ndodhi Jerusalemit. Biri i mishëruar i Perëndisë eci në rrugët e tij me pluhur. Ndërtesat e tij të lyera me okër e panë me përbuzje Krijuesin dhe Mbajtësin e universit. Njerëzit dëgjuan fjalët e Tij të pakrahasueshme dhe e panë të kryejë mrekulli që askush tjetër nuk kishte kryer ndonjëherë. Por ata nuk arritën ta vlerësojnë Atë. Ata nuk e pranuan Atë.
Gjërat do të kishin shkuar më mirë për ta nëse do ta kishin pranuar. Kushtet do të ishin si ato të përshkruara në Psalmin 81:13-16: «Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia! Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij. Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë. Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi».
Edhe Isaia përshkruan se si mund të kishte qenë. «Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit. Trashëgimia ime do të ishte si rëra dhe ata që kanë lindur nga të përbrendshmet e tua do të ishin të pallogaritshëm si kokrrizat e saj; emri i tij nuk do të fshihej as do të shkatërrohej para meje» (Isa. 48:18, 19).
Bret Harte ka shkruar: «Nga të gjitha fjalët e gojës a të penës, ato më të trishtueshme janë: “Do të mund të kishte qenë”».
Mendo për ata që e kanë hedhur poshtë thirrjen e Ungjillit. Jezusi nga Nazareti kaloi pranë tyre, por ata nuk e vunë re. Tani ata jetojnë jetë boshe dhe janë para një përjetësi dënimi.
Ose mendo për ata besimtarë të cilët kanë dëgjuar thirrjen e Krishtit për një fushë të veçantë shërbimi, por nuk arritën t’i përgjigjen. Ata nuk e kanë idenë e bekimeve të tanishme dhe shpërblimeve të përjetshme që kanë humbur.
Është e vërtetë që ndonjëherë mundësia troket vetëm një herë. Megjithëse ajo është e ngarkuar me thesaret më të zgjedhura, ajo për momentin mund të duket se bie ndesh me planet personale ose mund të përfshijë sakrifica personale. Ajo paraqet më të mirën që Perëndia ka për ne, por për arsye vetjake ne e lëmë mundësinë të ikë. Ne e refuzojmë më të mirën prej Tij dhe pranojmë më të mirën e dorës së dytë prej Tij. Gjatë gjithë kohës Ai na thotë: «Unë dua, po ju nuk doni».