17 korrik

[no_toc]

17 korrik

«Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë» (Zanafilla 12:3).

Kur Perëndia e thirri për herë të parë Abrahamin për të qenë kreu i popullit të Tij të zgjedhur tokësor, Ai premtoi se do t’i bekonte miqtë e këtij kombi dhe se do t’i mallkonte armiqtë e tij. Në shekujt e ndërmjetëm populli jude ka pësuar një armiqësi dhe diskriminim të pallogaritshëm, por mallkimi i Perëndisë nuk është hequr kurrë nga antisemitizmi.

Hamani komplotoi shkatërrimin e popullsisë judease në Persi. Ai ia mbushi mendjen mbretit që të nënshkruante një dekret të pandryshueshëm. Për njëfarë kohe gjithçka dukej se po ecte në favor të tij. Por më pas dolën pengesat. Kryekomplotisti u përkeqësua nga zhgënjimi në dështim, derisa në fund ai u var në trekëmbëshin që kishte ndërtuar për judeun Mordekai.

Duke mos mësuar nga historia, Adolf Hitleri ishte i vendosur që ta rijetonte atë. Ai hapi një program të mbrapshtë për t’i zhdukur judenjtë me kampet e përqendrimit, dhomat me gaz, furrat, pushkatimet në masë. Dukej sikur asgjë nuk mund ta ndalonte atë. Por më pas dallga u kthye dhe ai vdiq në mënyrë të turpshme me dashnoren e tij në një bunker të Berlinit.

Antisemitizmi do të arrijë kulmin më të tmerrshëm gjatë Mundimit të Madh. Judenjtë do të dorëzohen për t’u munduar dhe vrarë; ata do të urrehen nga të gjitha kombet pagane [johebre]. Ata do të masakrohen në shifra të mëdha. Por pogromi do të ndërpritet nga ardhja personale e Zotit Jezus Krisht. Ata që e kanë përndjekur popullin e Tij do të shkatërrohen; ata që u janë bërë shok vëllezërve judenj të Krishtit do të hyjnë në Mbretërinë.

Asnjë besimtar i vërtetë nuk duhet ta lejojë shpirtin e tij që të molepset me ndonjë gjurmë antisemitizmi. Zoti i tij, Shpëtimtari i tij, Miku i tij më i mirë dhe më besnik ishte dhe është një jude. Perëndia e përdori popullin jude që të sillnin dhe ruanin Shkrimin e Shenjtë. Edhe pse Perëndia e ka vendosur përkohësisht mënjanë këtë komb për shkak të refuzimit që i kanë bërë Mesias, Ai e do përsëri Izraelin për hirin e Atit. Askush që i urren judenjtë nuk mund të pres bekimin e Perëndisë në jetën dhe shërbesën e tij.

«Lutuni për paqen e Jerusalemit, le të begatohen ata që të duan» (Psa. 122:6). Do të begatohen edhe ata që e duan popullin e judenjve.