17 nëntor

[no_toc]

17 nëntor

«Kur ofroni për flijim një kafshë të verbër, a nuk është keq? Kur ofroni një kafshë të çalë ose të sëmurë, nuk është keq? Paraqite, pra, te qeveritari yt. A do të jetë i kënaqur prej teje? Do të të pranojë me kënaqësi?, thotë Zoti i ushtrive» (Mal. 1:8).

Nuk ka asnjë dyshim se çfarë kërkonte Perëndia në kafshët e sakrificës. Ato duhet të ishin pa njolla ose të meta. Ai priste që populli i Tij t’i ofronte kafshët më të zgjedhura të kopesë ose tufës. Perëndia dëshiron më të mirën.

Po çfarë po bënin izraelitët? Ata po ofronin kafshët e verbra, të çala dhe të sëmura. Kafshët e zgjedhura do të paguheshin më lart në pazar ose do të ishin të dëshirueshme për mbarështim. Kështu populli ofronte gjërat bajate, duke thënë, në fakt: «Çdo gjë është mjaft e mirë për Zotin».

Para se t’i shohim izraelitët me tronditje dhe përçmim, duhet të vrasim mendjen nëse edhe ne, të krishterët e shekullit të njëzetë, mund të jemi duke e çnderuar Perëndinë duke mos i dhënë Atij më të mirën.

Ne e harxhojmë jetën tonë duke vënë pasuri, duke u përpjekur t’i bëjmë vetes një emër, duke jetuar një një shtëpi luksoze në periferi, duke gëzuar gjërat më të mira, pastaj i japim Perëndisë bishtin e një jete të shkrumbuar. Talentet tona më të mira ia japim biznesit dhe profesionit dhe Zoti merr mbrëmjet tona të lira ose fundjavat.

Ne i rritim fëmijët tanë për botën, i inkurajojmë që të fitojnë shumë para, të martohen mirë dhe të kenë një shtëpi me prestigj me çdo rehati moderne. Kurrë nuk e konsiderojmë veprën e Zotit si një rrugë të dëshirueshme para tyre ku ta harxhojnë jetën e tyre. Fusha e misionit është shumë në rregull për fëmijët e të tjerëve, por jo për tanët.

Ne i harxhojmë paratë për makina të shtrenjta, mjete çlodhjeje, varka me vela dhe pajisje sportive të klasës së lartë, pastaj i japim veprës së Zotit një ose dy dollarë të mjerë. Ne veshim rroba të shtrenjta, pastaj kemi një ndjenjë euforie kur rrobat e vjetra ia dhurojmë [organizatës] «Ushtria e shpëtimit».

Ajo që po themi, në fakt, është se çdo gjë është mjaft e mirë për Zotin, por që më të mirën e duam për veten. Dhe Zoti na thotë: «Shko dhe paraqitet te presidenti. Shiko nëse ai do të jetë i kënaqur me të». Presidenti do të ofendohej. Pra, kështu është edhe me Zotin. Përse duhet ta trajtojmë Atë në një mënyrë që nuk do ta mendonim për ta trajtuar presidentin?

Perëndia dëshiron më të mirën. Ai meriton më të mirën. Le të vendosim me çdo sinqeritet që Ai do të marrë më të mirën tonë.

[previous][next]