19 tetor

[no_toc]

19 tetor

«Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë? Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit» (Psa. 116:12, 13).

Për sa i përket shpëtimit të shpirtit tonë, ne nuk mund të bëjmë asnjë gjë për ta fituar ose merituar atë. Ne nuk mund ta futim Perëndinë në borxh ose ta rimbursojmë atë në ndonjë mënyrë, pasi shpëtimi është një dhuratë falas.

Përgjigjja e duhur ndaj jetës së përjetshme që Perëndia na e ofron falas është, së pari të ngremë kupën e shpëtimit, domethënë, ta pranojmë shpëtimin me anë të besimit. Pastaj duhet të thërresim emrin e Zotit, domethënë, ta falënderojmë dhe lavdërojmë Atë për dhuratën e patregueshme.

Edhe pasi shpëtohemi nuk ka asnjë gjë që ne mund të bëjmë për t’ia shlyer Perëndisë borxhin për të gjitha të mirat që na ka dhënë. «Në zotërofsha krijesën mbarë, s’do të ishte një ofertë e drejtë». Megjithatë, gjendet një përgjigje e përshtatshme që mund të bëjmë dhe kjo është gjëja më e arsyeshme që mund të bëjmë. «E denjë është kjo dashuri t’i marrë, gjithë jetën, shpirtin, zemrën krejt».

Nëse Zoti Jezus dha trupin e tij për ne, më e pakta që ne mund të bëjmë është të japim trupat tanë për Të.

Pilkingtoni nga Uganda ka thënë: «Nëse Ai është Mbret, Ai ka të drejtë mbi gjithçka». C. T. Stadi ka thënë: «Kur arrita të kuptoja që Jezu Krishti kishte vdekur për mua, nuk m’u duk e vështirë të heqja dorë nga gjithçka për Të».

Bordeni nga Jejli u lut: «Zoti Jezus, i largoj duart për sa i përket jetës sime. Të vendos Ty në fronin e zemrës sime».

Beti Skot Stami u lut: «Të jap vetveten, gjithë jetën, gjithçka timen, krejtësisht t’i jap Ty, të jem e jotja përgjithmonë».

Çarls Hadën Spërxhëni ka thënë: «Atë ditë, kur ia dorëzova veten Shpëtimtarit, i dhashë Atij trupin tim, shpirtin tim, frymën time; i dhashë Atij gjithçka kisha, dhe gjithçka që do të kem në jetë e në përjetësi. I dhashë Atij të gjitha talentet e mia, fuqitë e mia, aftësitë e mia, sytë e mi, veshët e mi, ndërgjegjen time, gjymtyrët e mia, emocionet e mia, gjykimin tim, tërë burrërinë time dhe gjithçka që mund të dalë prej saj, çfarëdo kapaciteti të freskët apo aftësi të re që mund të fitoja».

Dhe, së fundi, Isak Uats na kujton që «lotët e brengës kurrë nuk mund të paguajnë borxhin e dashurisë që detyrohem», pastaj shtoi: «I dashur, Zot, të falem ty, ‘me gjithçka që mund të bëj».

Pasioni i Jezusit – duart dhe këmbët e Tij të gjakosura, vurratat e Tij, lotët e Tij kërkojnë një përgjigje të përshtatshme: Sakrificën e jetëve tona për Të.