2 maj

[no_toc]

2 maj | çdo ditë me radhë

«Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe lëngatë në popull» (Mt. 3:24).

Një problem i përsëritur midis të krishterëve është ruajtja e ekuilibrit të duhur midis ungjillëzimit dhe përfshirjes sociale. Ungjillorët janë kritikuar shpesh se janë tepër të interesuar për shpirtrat e njerëzve dhe jo aq për trupat e tyre. Me fjalë të tjera, ata nuk harxhojnë mjaft kohë për të ushqyer të uriturit, për të veshur të zhveshurit, për të shëruar të sëmurët dhe për të edukuar analfabetët.

Të thuash diçka kundër ndonjë prej këtyre shërbesave do të jetë sikur të kritikosh nënat. Zoti Jezus ishte patjetër i shqetësuar për nevojat fizike të njeriut dhe i mësoi dishepujt e Tij që të ishin të shqetësuar gjithashtu. Historikisht, të krishterët kanë qenë gjithnjë në krye të kauzave të dhembshurisë.

Por ashtu si në shumë fusha të tjera të jetës, kjo është një çështje e përparësive. Cila është më e rëndësishme, e përkohshmja apo e përjetshmja? Nëse gjykojmë nga kjo bazë, Ungjilli është puna kryesore. Jezusi e aludoi këtë kur tha: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni…». Doktrina vjen përpara përfshirjes sociale.

Disa prej problemeve sociale më të ngutshme të njeriut janë rezultat i fesë së rremë. Për shembull, ka njerëz që vdesin nga uria, të cilët nuk vrasin asnjë lopë, sepse ata besojnë se një i afërm mund të rimishërohet në një lopë. Kur kombe të tjera dërgojnë ngarkesa të mëdha gruri, atë e hanë më shumë minjtë se njerëzit, sepse askush nuk i vret minjtë. Këta njerëz janë të skllavëruar nga feja e rremë dhe Krishti është përgjigjja për problemet e tyre.

Në përpjekjet për të goditur ekuilibrin e duhur midis ungjillëzimit dhe shërbimit social ekziston gjithnjë rreziku i të qenit aq i zënë me «kafe dhe petulla», sa Ungjilli përjashtohet. Historia e institucioneve të krishtera është e mbushur me shembuj të tillë, ku e mira është bërë armiku i më së mirës.

Disa forma të përfshirjes sociale janë të diskutueshme, në mos krejt «jashtë». I krishteri nuk duhet të jetë kurrë pjesë e përpjekjeve revolucionare për të rrëzuar qeverinë. Është e dyshimtë nëse ai duhet t’i drejtohet [për ndihmë] proceseve politike për të vënë në vend padrejtësitë sociale. As Zoti, as apostujt nuk e bënë këtë. Mund të kryhet më shumë përmes përhapjes së Ungjillit sesa përmes legjislacionit.

I krishteri që heq dorë nga të gjitha për të ndjekur Krishtin, që shet gjithçka për t’ia dhënë të varfërve, që e hap zemrën dhe kuletën sa herë që sheh një rast të vërtetë nevoje, nuk ka pse të ketë një ndërgjegje fajtore për indiferencë sociale.