20 maj

[no_toc]

20 maj | çdo ditë me radhë

«…askush nuk shtie verë të re në kacekë [boca] të vjetër; përndryshe vera e re i pëlcet kacekët, dhe ajo derdhet dhe kacekët shkojnë dëm. Por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dyja ruhen» (Luka 5:37, 38).

Bocat e referuara këtu ishin në fakt enë të bëra nga lëkurët e kafshëve. Kur këta calikë ishin të rinj, ata ishin të lakueshëm dhe paksa elastik. Por kur vjetroheshin, ata ishin të fortë dhe të papërkulshëm. Nëse në kacekë të vjetër do të shtihej verë e re, veprimi fermentues i verës do të mblidhte më tepër presion se duhet për kacekët e vjetër dhe ata do të plasnin.

Këtu në Luka 5 Jezusi e përdor këtë për të ilustruar përplasjen mes judaizmit dhe krishterimit. Ai është duke thënë që «format, traditat dhe ritualet e vjetruara të judaizmit ishin tepër të ngurta për të mbajtur gëzimin, bollëkun dhe energjinë e përndarjes së re [kohore]».

Ky kapitull përmban ilustrime dramatike. Në vargjet 18-21 shohim katër burra që hapin çatinë e një shtëpie për ta çuar një të paralizuar te Jezusi për shërim. Metoda e tyre novatore, jotradicionale është një ilustrim i verës së re. Në vargun 21, skribët dhe farisenjtë fillojnë të gjejnë faj te Jezusi; ata janë kacekët e vjetër. Përsëri në vargjet 27-29 kemi përgjigjen entuziaste të Levit ndaj thirrjes së Krishtit dhe banketin e ngritur prej tij për t’i njohur miqtë e vet me Jezusin. Kjo është vera e re. Në vargun 30, skribët dhe farisenjtë shfryjnë prapë. Ata janë kacekët e vjetër.

Këtë e shohim gjatë tërë jetës. Njerëzit fiksohen pas mënyrave tradicionale të bërjes së gjërave dhe e shohin të vështirë që të përshtaten me ndryshimin. Amvisa ka mënyrën e saj të larjes së enëve dhe acarohet kur sheh dikë tjetër që e bën rrëmujë lavamanin e saj. Burri ka idetë e veta se si duhet ngarë makina dhe pothuaj e humbet arsyen kur makinën e nget gruaja apo fëmijët.

Por mësimi i madh për të gjithë ne është në fushën frymërore. Ne duhet të jemi mjaft elastik që t’i japim vend gëzimit, gjallërisë dhe entuziazmit të besimit të krishterë, edhe nëse ai vjen në mënyra jotradicionale. Ne nuk dëshirojmë, as nuk na duhet, serioziteti pompoz dhe formalizmi i ftohtë i farisenjve të cilët rrinin mënjanë dhe kritikonin kur Perëndia ishte duke vepruar.

[previous][next]