20 shtator
«Mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit» (Rom. 12:16).
Prirja natyrale është që të dëshirojmë të miqësohemi me shtresën e lartë. Në çdo zemër njerëzore ekziston lakmia për t’u shoqëruar me ata që janë me rëndësi, të pasur dhe aristokratë. Kështu që këshilla e Palit te Romakëve 12:16 me të vërtetë shkon kundër karakterit të natyrës. Ai thotë: «Mos jini krenarë, por kini dëshirën që të shoqëroheni me njerëz të rangut të ulët» (NIV). Në Kishë nuk ka kasta burokratike. Të krishterët duhet të jetojnë mbi dallimet klasore.
Një histori që ilustron këtë tregohet për Fred Eliotin. Një mëngjes ai ishte duke kaluar kohën e përkushtimit familjar rreth tryezës së mëngjesit kur dëgjoi një rrapëllimë të zhurmshme në kopsht. Ai kuptoi që kishte ardhur plehraxhiu. Kështu që e la Biblën të hapur mbi tavolinë, shkoi te dritarja, e hapi dhe e përshëndeti pastruesin gëzueshëm, pastaj u kthye te tavolina për të vazhduar kohën e përkushtimit. Për të, përshëndetja e pastruesit ishte po aq e shenjtë sa për të lexuar Biblën.
Kemi një tjetër shërbëtor të Zotit i cili e zbatoi tekstin e sotëm në mënyrë tepër të fjalëpërfjalshme. Xhek Vyrceni drejtonte çdo verë një kamp biblik në liqenin Skrun të Nju Jorkut. Në një nga konferencat e të rinjve, mbërriti një mik me aftësi fizike shumë të kufizuara. Për shkak se nuk mund të kontrollonte muskujt e gojës, ai nuk ishte në gjendje të gëlltiste ushqimin. Një sasi e madhe ushqimi i dilte përsëri nga goja dhe binte mbi gazetën me të cilën kishte mbuluar kraharorin dhe prehrin. Kjo skenë nuk ishte e sjellshme për një ngrënie të mirë dhe, si rrjedhim, atij i duhej zakonisht që të ulej në një tavolinë vetëm.
Për shkak të ngarkesës së punës, Xhek Vyrceni shpesh arrinte vonë në sallën e ngrënies. Çdo herë që hynte, njerëzit do t’ia bënin me dorë që të ulej në tryezën e tyre. Por Xheku nuk e bëri këtë asnjëherë. Ai shkoi gjithnjë te tavolina ku ky mik hante vetëm. Ai ndenji me një të përunjur.
«Një gjeneral i krishterë u pa njëherë duke folur me një të moshuar të varfër. Shokët bënë llafe me të, duke i thënë: “Ti duhet të marrësh parasysh gradat që ke”. Gjenerali iu përgjigj: “Po sikur Zoti im të kishte marrë parasysh gradat e Tij?”» (Kallinj gruri të zgjedhur).
Në një nga poemat e tij, Robert Bërnsi na kujton se, pavarësisht nga pozita e ulët në jetë, njeriu është njeri në fund të fundit. Ai thotë që njeriu me mendje pa paragjykime mund të qesh me pamjen e jashtme plot stoli të budallenjve të veshur me mëndafsh.
Kur mendojmë se si Shpëtimtari ynë e përuli Veten për të ardhur në pozitën tonë të ulët, është absurde që ne të mos e bëjmë këtë me të tjerët.