21 prill | çdo ditë me radhë
«Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet» (Luka 6:40).
Në këtë pjesë Zoti Jezus i kujtoi të Dymbëdhjetët se kur ata të shkonin për të dishepulluar të tjerë, ata nuk mund të prisnin që dishepujt e tyre të përparonin më tepër në jetën frymërore, sesa vetë ata kishin arritur. Me fjalë të tjera, niveli i ndikimit tonë pozitiv te të tjerët kufizohet nga ajo që ne vetë jemi. Ose siç ka thënë O. L. Klarku (O. L. Clark):
Ju nuk mund të mësoni atë që nuk e dini;
ju nuk mund të drejtoni atje ku nuk shkoni.
Shpëtimtari vazhdoi ta përforcojë këtë mësim me tregimin e lëmishtes dhe traut. Një njeri është duke ecur në një shtresë shirjeje dhe befas një shkulm ere ngre një grimcë kashte dhe e ngec mirë në syrin e tij. Ai e fërkon, lëviz qepallën lart e poshtë dhe provon çdo këshillë dashamirëse nga miqtë e tij se si ta heqë grimcën nga syri i tij. Pastaj vij unë me një shtyllë telefoni në syrin tim dhe i them atij: «Ja, miku im i dashur, më lejo të të ndihmoj që ta heqësh atë atom nga syri yt». Duke më vështruar paksa pjerrët, ai më thotë me shikimin e mirë që i ka mbetur: «Nuk mendon se duhet të heqësh shtyllën nga syri yt më parë?»
Sigurisht! Unë nuk mund të ndihmoj dikë që është duke luftuar me një mëkat shqetësues, nëse unë vetë jam më tepër në pranga nga ai mëkat specifik. Nuk mund t’i kërkoj bindje ndaj një urdhërimi të qartë nga Shkrimi, nëse unë vetë nuk i jam bindur. Çdo dështim frymëror në jetën time ma mbyll gojën në atë fushë të caktuar.
Kur dishepulli im të jetë përsosur, domethënë, kur të kem mbaruar trajnimin e tij, nuk mund të pres që ai të jetë një centimetër mbi lartësinë time frymërore. Ai mund të përparojë deri në nivelin tim, por unë nuk mund ta drejtoj atë përtej kësaj.
E gjitha kjo thekson rishtas që ne duhet t’i kushtojmë kujdes vetes. Shërbesa tonë duhet të jetë një shërbesë karakteri. Ajo që vlen është ajo që është e brendshme. Ne mund të jemi oratorë, të shkathët dhe bindës me të folurit tonë, por nëse në jetën tonë ka pika të errëta (të meta), fusha të pakujdesit dhe të mosbindjes, atëherë dishepullimi që u bëjmë të tjerëve është një rast i të verbrit që drejton të verbrin.