21 tetor
«Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!» (Mt. 7:13, 14).Kur vështron botën e sotme fetare, vështron fe, grupe dhe kulte të shumta. Dhe, megjithatë, në themel ka vetëm dy fe, sikurse sugjerohet në vargun e sotëm. Nga njëra anë kemi derën e gjerë dhe udhën e hapur dhe të shkelur që çon në shkatërrim. Nga ana tjetër kemi derën e ngushtë dhe udhën e vështirë që shkelet rrallë që çon në jetë. Të gjitha fetë mund të klasifikohen në njërën ose në tjetrën. Ajo që i dallon të dyja fetë është kjo: njëra fe tregon se çfarë njeriu duhet të bëjë për të fituar ose merituar shpëtimin; tjetra tregon se çfarë ka bërë Perëndia për të siguruar shpëtimin për njerëzit.
Besimi i vërtetë i krishterë është unik duke qenë se ai i thërret njerëzit që ta marrin jetën e përjetshme si një dhuratë nëpërmjet besimit. Të gjitha fetë e tjera u thonë njerëzve se ata duhet që ta fitojnë shpëtimin e tyre me anë të veprave ose me anë të karakterit. Ungjilli tregon se si Krishti e përfundoi veprën e nevojshme për shpengimin tonë. Të gjitha sistemet e tjera u thonë njerëzve se ata duhet të veprojnë për të shpenguar vetveten. Ndryshimi qëndron midis TË BËSH dhe ËSHTË BËRË.
Ideja e përhapur është se njerëzit e mirë shkojnë në qiell dhe njerëzit e këqij shkojnë në ferr. Por Bibla mëson që nuk ka asnjë njeri të mirë dhe se të vetmit njerëz që shkojnë në qiell janë mëkatarë të shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë. Ungjilli i krishterë e përjashton mburrjen; ai i tregon njeriut që ai nuk mund të kryejë asnjë vepër të meritueshme për të fituar favorin e Perëndisë sepse ai është i vdekur në faje dhe në mëkate. Të gjitha fetë e tjera e llastojnë krenarinë e njeriut duke sugjeruar se ka diçka që ai mund të bëjë për ta shpëtuar veten ose për të marrë pjesë në shpëtimin e tij.
Të gjitha fetë e rreme janë ajo «rrugë që njeriut i duket i drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes» (Fjalet e Urta 14:12). Shpëtimi nëpërmjet besimit në Zotin Jezus Krisht duket «tepër i lehtë» për njerëzit, por kjo është udha që çon në jetë. Në fetë e rreme Krishti është zero ose vetëm diçka. Në besimin e krishterë të vërtetë Krishti është gjithçka.
Në fetë e tjera nuk mund të ketë një siguri të vërtetë të shpëtimit pasi një person nuk mund ta dijë kurrë nëse ka bërë mjaft vepra të mira ose që ka bërë veprat e duhura. Besimtari në Krishtin mund ta dijë që është i shpëtuar sepse nuk është një çështje e veprave të tij, por përkundrazi është çështje e veprave që Krishti ka bërë për të.
Vetëm dy fe – njëra e ligjit, tjetra e hirit. Njëra e veprave, tjetra e besimit. Njëra e të bërit, tjetra e të besuarit. Njëra e të përpjekurit, tjetra e të besuarit. E para çon në dënim dhe vdekje, e dyta në shfajësim dhe jetë.