24 prill

[no_toc]

24 prill | çdo ditë me radhë

«Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë [shkatërrojë] atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë» (1 e Korintasve 3:17).

Në këtë varg tempulli i Perëndisë i referohet asamblesë lokale. Pali nuk po u flet individëve të krishterë, por besimtarëve kolektivisht kur thotë «tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju (shumës)». Shenjtorët në Korint përbënin një tempull të Perëndisë.

Sigurisht, është gjithashtu e vërtetë se individët besimtarë janë një tempull i Frymës së Shenjtë. Apostulli e zbulon këtë në 1 e Korintasve 6:19: «A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkisni vetvetes?» Fryma e Shenjtë banon në trupin e çdo fëmije të Perëndisë.

Por në tekstin e sotëm është asambleja ajo që është në pamje. Pali po thotë se nëse dikush e shkatërron asamblenë, Perëndia do ta shkatërrojë atë. Është e njëjta fjalë që është përkthyer «prish» dhe «shkatërroj» në këtë varg. Ajo është përdorur për dëmtimin e një kishe lokale duke e larguar atë nga gjendja e shenjtërisë së jetës dhe e pastërtisë së doktrinës ku ajo duhet të jetë dhe për shkatërrimin ndëshkues të Perëndisë për shkelësin që është fajtor për këtë mëkat» (W. E. Vine).

Prandaj vargu ynë na paralajmëron se është një gjë serioze të ngacmosh një përbashkësi lokale. Në fakt, kjo është një formë vetë-shkatërrimi. Mirëpo sa ngurrues janë shpesh njerëzit në këtë fushë. Këtu kemi një burrë që nuk i plotësohet dëshira e tij në asamble. Ose ai përfshihet në një përplasje të dhunshme personaliteti me një vëlla tjetër. Në vend që gjërat të rregullohen në një mënyrë biblike, ai rreshton njerëz që të mbajnë anën e tij dhe formon një fraksion në kishë. Gjërat shkojnë nga keq më keq dhe shpejt kemi një ndarje të hapur.

Ose ndoshta është një motër mishore, e cila vazhdon një fushatë përgojimi dhe që është gojëlëshuar kundër dikujt tjetër. Gjuha e saj shpifarake sulmon derisa kisha mbushet me hidhërim dhe grindje. Ajo nuk ndalon derisa një asamble dikur e lulëzuar dergjet e shkatërruar.

Njerëz të tillë po luajnë një lojë të rrezikshme. Ata nuk mund të dalin pa u lagur. Perëndia i Madh i universit është i vendosur që të rrëzojë ata që e rrëzojnë asamblenë e Tij. Le të kenë kujdes të gjithë ata që janë të prirur për përçarje.