24 tetor
«Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit» (Zbulesa 20:15).Tema e ferrit shkakton një rezistencë të pamasë në zemrën njerëzore. Kjo rezistencë shpesh shprehet me pyetjen: «Si mundet një Perëndi i dashurisë të mbështetë ferrin e përjetshëm?»
Nëse Pali do t’i përgjigjej kësaj pyetje, ndoshta ai do të thoshte që në fillim: «Kush je ti që i kundërpërgjigjesh Perëndisë?» ose «Qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar», që e përkthyer do të thotë: në të vërtetë krijesa nuk ka asnjë të drejtë për të dyshuar Krijuesin. Nëse Perëndia e mbështet ferrin e përjetshëm, Ai ka arsye të vlefshme për ta bërë këtë. Ne nuk kemi asnjë të drejtë të dyshojmë dashurinë e Tij dhe drejtësinë e Tij. Megjithatë, neve na është dhënë informacion i mjaftueshëm në Bibël për t’i dhënë të drejtë Perëndisë për këtë çështje.
Së pari, ne e dimë që Perëndia nuk e bëri ferrin për njerëzit, por për djallin dhe engjëjt e tij (Mt. 25:41).
Dimë gjithashtu që nuk është dëshira e Perëndisë që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim (2 Pjetrit 3:9). Nëse ndokush shkon në ferr, kjo i shkakton Zotit një dhimbje të madhe në zemër.
Mëkati i njeriut është çka e shkakton këtë problem. Shenjtëria, ndershmëria dhe drejtësia e Perëndisë kërkojnë që mëkati të ndëshkohet. Dekreti hyjnor është: «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur» (Eze. 18:4). Kjo nuk është diçka arbitrare nga Perëndia. Ky është qëndrimi i vetëm që një Qenie e Shenjtë mund të ndërmarrë për sa i përket mëkatit.
Perëndia mund ta kishte mbyllur me kaq. Njeriu mëkatoi, prandaj ai duhet të vdesë.
Por dashuria e Perëndisë ndërhyri. Me qëllim që njeriu të mos humbiste përjetësisht, Ai shkoi në ekstremin përfundimtar për të siguruar një rrugë shpëtimi. Ai dërgoi Birin e Tij të vetëm për të vdekur si një Zëvendësues për njerëzit mëkatarë, duke paguar dënimin për ta. Ishte një hir i mrekullueshëm nga ana e Shpëtimtarit që të mbarte mëkatet e njeriut në trupin e Tij mbi kryq.
Tani Perëndia u ofron jetën e përjetshme si një dhuratë falas të gjithë atyre që pendohen nga mëkatet e tyre dhe besojnë në Zotin Jezus Krisht. Ai nuk do t’i shpëtojë njerëzit kundër vullnetit të tyre. Ata duhet të zgjedhin rrugën e jetës.
Sinqerisht nuk ka asnjë gjë tjetër që Perëndia mund të kishte bërë. Ai tashmë ka bërë më tepër se ç’mund të pritej. Nëse njerëzit e refuzojnë ofertën falas të mëshirës së Tij, nuk ka asnjë alternativë. Ferri është zgjedhja e paramenduar e atyre që refuzojnë qiellin.
Të ngarkosh Perëndinë me faj sepse e mbështet ferrin e përjetshëm është krejtësisht e pabazë. Kjo e shpërfill faktin që Ai e boshatisi qiellin nga më i Miri me qëllim që më i ligu i kësaj bote të mund të mos njohë kurrë agoninë e liqenit të zjarrit.