25 shtator

[no_toc]

25 shtator

«A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën» (Gal. 4:16).

Përvoja e Palit me të krishterët në Galati na kujton që shpesh armiqësohemi me miqtë tanë kur u tregojmë të vërtetën. Apostulli u kishte paraqitur këtyre njerëzve Zotin dhe i kishte ushqyer në rrugën e besimit. Por më vonë kur mësues të rremë depërtuan në asambletë e tyre, Palit i duhej t’i paralajmëronte besimtarët që ata po e braktisnin Krishtin për ligjin. Kjo bëri që ata të armiqësoheshin me atin e tyre në besim.

Kjo ishte e vërtetë edhe në kohët e Dhiatës së Vjetër. Elia ishte gjithnjë i hapur dhe i drejtpërdrejtë në mesazhin e tij drejtuar Ashabit. Por, pavarësisht nga kjo, një ditë kur Ashabi e takoi, i tha: «Ti je pikërisht ai që e bën rrëmujë Izraelin?» (1 i Mbreterve 18:17). «Që po e bënte rrëmujë Izraelin?» Po përse? Elia ishte një nga miqtë më të ngushtë që ka patur ndonjëherë Izraeli! Por meritat e tij për besnikërinë ndaj Izraelit u gjykuan si ngatërresa.

Mikajahu ishte një profet tjetër i patrembur. Kur Jozafati pyeti nëse gjendej ndonjë profet i Zotit me të cilin të mund të këshilloheshin, mbreti i Izraelit tha: «Ka akoma një njeri, Mikajahu, bir i Imlahut, me anë të të cilit mund të këshillohesh me Zotin; por unë e urrej sepse nuk profetizon kurrë asgjë të mirë lidhur me mua, por vetëm të keqen». Mbreti nuk e donte të vërtetën, prandaj edhe urrente atë që thoshte të vërtetën.

Në Dhiatën e Re gjejmë Gjon Pagëzorin që i thotë Herodit: «Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd» (Mar. 6:18). Dhe kjo ishte e vërtetë, mirëpo ky trajtim kaq i guximshëm i së vërtetës çoi shpejt në ekzekutimin e Gjonit.

Zoti ynë nxiti urrejtjen e judenjve mosbesues. Çfarë e shkaktoi këtë urrejtje? Kjo ndodhi sepse Ai u kishte treguar atyre të vërtetën. Ai tha: «Por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën» (Gjoni 8:40).

Tomas Xhefersoni shkroi: «Nëse ke patur ndërmend t’i largohesh të keqes, ti do ta kishe kufizuar veten brenda vijës së heshtur të detyrës së rregullt. Çdo pyetje ka dy anë dhe nëse zgjedh njërën me vendosmëri dhe vepron me forcë, ata që zgjedhin anën tjetër, kuptohet që do të jenë armiqësorë në proporcion me masën që ata e ndiejnë atë forcë».

Shpesh e vërteta lëndon. Në vend që të përkulen para saj, shpesh njerëzit e mallkojnë atë që e flet. Shërbëtori i vërtetë i Zotit tashmë e ka marrë parasysh çmimin. Ai duhet të flasë të vërtetën ose të vdesë. Ai e di që besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku (Fjalet e Urta 27:6).

[previous][next]