26 tetor

[no_toc]

26 tetor

«Shumë të dashur, unë ju këshilloj, si të huaj dhe shtegtarë, të hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit» (1 Pjetrit 2:11).

Pjetri i kujton lexuesit e tij që ata janë të huaj dhe shtegtarë, një kujtim ky që më shumë se kurrë është i nevojshëm sot. Shtegtarët janë njerëz që udhëtojnë nga një vend në një tjetër. Vendi përmes të cilit ata kalojnë nuk është vendi i tyre; ata janë të huaj atje. Ndërsa vendi për ku po shkojnë, ai është atdheu i tyre.

Shenja dalluese e një shtegtari është tenda. Prandaj, kur lexojmë që Abrahami banoi në çadra me Isakun dhe Jakobin, ne duhet të kuptojmë që ai e konsideroi Kanaanin një vend të huaj (edhe pse ky vend i ishte premtuar atij). Ai jetoi në një banesë të përkohshme «sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia» (Heb. 11:10). Kështu që shtegtari nuk është një ardhës. Ai është dikush në lëvizje.

Duke qenë se ka një udhëtim të gjatë, ai udhëton jo i ngarkuar shumë. Ai nuk ia lejon vetes që të rëndohet nga zotërime të tepërta materiale. Ai nuk ia lejon vetes të ngarkohet me bagazhe të panevojshme.

Një cilësi tjetër e shtegtarit është që ai ndryshon nga njerëzit rreth tij që janë në vendin e tyre. Ai nuk konformohet me mënyrën e tyre të jetesës, me zakonet e tyre ose madje me formën e tyre të adhurimit. Në rastin e një shtegtari të krishterë kjo do të thotë që atij i duhet porosia e Pjetrit për të hequr dorë nga «lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit». Ai nuk lejon që karakteri t’i formohet sipas mjedisit. Ai është në botë por jo nga bota. Ai kalon përmes një vendi të huaj pa adoptuar doket dhe vlerësimet subjektive të tij.

Nëse shtegtari kalon përmes një territori armik, ai është i kujdesshëm për t’u mos u vëllazëruar me armikun. Kjo do të përbënte tradhti ndaj udhëheqësit. Ai do të ishte një tradhtar.

Shtegtari i krishterë është duke kaluar përmes territorit armik. Kjo botë s’i dha gjë tjetër Udhëheqësit tonë veçse një kryq dhe një varr. Të bëhesh shok me një botë të tillë do të thotë të tradhtosh Zotin Jezus. Kryqi i Krishtit ka këputur çdo lidhje që na ka lidhur me këtë botë. Ne nuk lakmojmë lavdërimin e kësaj bote dhe as nuk i frikësohemi dënimit që ajo mund të na japë.

Shtegtari inkurajohet gjatë udhëtimit të tij duke e ditur që marshimi i çdo dite e afron atë shumë më afër me shtëpinë. Ai e di që me të arritur pikëmbërritjen, shumë shpejt do t’i harrojë të gjitha mundimet dhe rreziqet e rrugës.

[previous][next]