27 tetor
«Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin» (Gal. 3:27).Duke lexuar një varg si ky, është shumë e rëndësishme të dish se çfarë ky varg thotë dhe se çfarë nuk thotë. Në të kundërt, do të jemi duke adoptuar pozita groteske që dhunojnë pjesën tjetër të Shkrimeve të Shenjta si dhe faktet e jetës.
Çelësi për kuptimin e këtij vargu gjendet në fjalët «në Jezu Krishtin». Këto fjalë përshkruajnë pozitën tonë, domethënë, atë si ne [besimtarët] dukemi në sytë e Perëndisë. Ato nuk i referohen praktikës sonë të përditshme, domethënë, asaj që jemi në vetvete ose se si jemi në shoqërinë ku jetojmë.
Ajo çka vargu është duke thënë, pra, është se nuk ka as jude, as grek për sa i përket qëndrimit përpara Perëndisë. Si judenjtë besimtarë ashtu edhe johebrenjtë besimtarë janë në Krishtin Jezus dhe që të dy qëndrojnë përpara Perëndisë në një pozitë absolutisht të favorshme. Asnjëri nuk ka ndonjë avantazh mbi tjetrin. Kjo s’do të thotë që dallimet fizike apo ndryshimet e temperamentit janë hequr.
Në Krishtin Jezus, nuk ka as skllav as të lirë. Skllavi gjen të njëjtin pranim përmes Personit dhe veprës së Krishtit që gjen edhe njeriu i lirë. Por megjithatë, në jetën e përditshme, dallimet sociale vazhdojnë.
Nuk ka as mashkull, as femër në Krishtin Jezus. Një grua besimtare është e plotë në Krishtin, e pranuar në të Dashurin (një emër ky i Zotit Jezus), e shfajësuar falas – njëlloj sikurse është edhe një burrë besimtar. Ajo ka të njëjtën liri hyrjeje në praninë e Perëndisë.
Por vargu nuk duhet marrë për t’iu referuar jetës së përditshme. Dallimet gjinore mbeten – mashkull dhe femër. Rolet që rrjedhin mbeten – babë e nënë. Pozitat e autoritetit dhe të nënshtrimit të caktuara nga Perëndia mbeten – burrit i është dhënë vendi i kryesimit dhe gruas ai i nënshtrimit ndaj autoritetit të burrit. Dhiata e Re specifikon edhe dallimet e shërbesës së një burri dhe të një gruaje në kishë (1 Tim. 2:8; 2:12 dhe 1 e Korintasve 14:34, 35). Ata që argumentojnë që nuk duhet të ketë as mashkull, as femër në kishë detyrohen të shtrembërojnë Shkrimet e Biblës, t’i caktojnë motive të padenja apostullit Pal ose madje të dyshojnë frymëzimin e fjalëve të tij në këtë fragment.
Ajo çfarë ata duhet të kuptojnë është që, ndonëse dallimet raciale, sociale dhe ato gjinore janë shfuqizuar për sa i përket qëndrimit përpara Perëndisë, ato nuk janë hequr nga jeta e përditshme. Gjithashtu ata duhet të kuptojnë që këto dallime nuk kanë të bëjnë fare me inferioritetin. Johebreu, skllavi apo gruaja nuk janë më poshtë se judeu, njeriu i lirë ose mashkulli. Në shumë mënyra ata mund të kenë epërsi. Në vend që të përpiqen ta rishkruajnë rregullin e Perëndisë në krijim dhe providencë, ata duhet ta pranojnë atë dhe të gëzohen me të.